Aktuale

PDK: Para 2 vitesh kishim propozuar të njëjtën zgjidhje për Demarkacionin

Marrëveshja e Shënimit të Kufirit me Malin e Zi ka gjasa të ratifikohet në Kuvend, dhe atë vetëm pasi presidenti i vendit, Hashim Thaçi ka nënshkruar një marrëveshje me homologun e tij malazez, marrëveshje që mundëson rishikimin e çdo pretendimi për devijim në vijën kufitare.

Por kjo marrëveshje duket se nuk është shpikje e këtij viti. Një e tillë ishte propozuar në vitin 2016 nga Partia Demokratike e Kosovës, si model zgjidhje dhe pajtimi mes forcave politike.

Në atë kohë një pjesë e LDK-së, që e drejtonte qeverinë nuk e përkrahte marrëveshjen e nënshkruar në Vjenë e ndërkaq AAK-ja, NISMA dhe Vetëvendosje tentonin me çdo kusht të bllokonin punën e Kuvendit me gaz lotsjellës, vezë si dhe me protesta.

Sipas planit të PDK-së në atë kohë, ishin katër mënyra për të gjetur rrugëdalje nga bllokada e krijuar që nga viti 2015

Siç kishte raportuar Koha Ditore në gusht të vitit 2016, njëri version është deklaratë pajtimi në mes dy vendeve. Tjetri është aneks i Marrëveshjes së 26 gushtit të vjetëm. I treti përbën deklaratë të përbashkët mes kuvendeve të Kosovës e Malit të Zi.

Nëse asnjëri nga tri versionet nuk do të mbështetej nga Podgorica zyrtare, nëpërmjet versionit të katërt është paraparë zgjidhje e njëanshme – nxjerrja e një vendimi nga Kuvendi i Kosovës.

Këto propozime nuk ishin marrë fare parasysh, as nga partitë opozitare të asaj kohe, e të cilat sot edhe po e përkrahin marrëveshje të njëjtë.