Opinione

Për apo kundër përdorimit të telefonave të mençur në ambiente shkollore

Shkruan: Lulzim Shabani

Të gjithë akterët në shoqërinë kosovare të cilët ndikohen nga kjo prurje dixhitale dhe kanë dilema apo hamendësime, duhet ta dijnë se telefonat e mençur nëse përdoren në mënyrën e duhur, mund të japin kontribut të madh në zhvillimin e aktiviteteve edukative dhe arsimore.

Në ditët e sotme, teknologjitë dixhitale mobile janë të pranishme në fusha të ndryshme profesionale. Një shembull tipik janë pajisjet mobile që mund të përdoren në aktivitete të ndryshme arsimore. Debati për përdorimin apo ndalimin ose kufizimin e përdorimit të këtyre pajisjeve në shkolla do të vazhdojë të ngelet i hapur edhe për shumë kohë. Kjo është një temë e ndërlikuar që kërkon trajtim, analizë dhe dialog të përbashkët, jo vetëm të instutucioneve shkencore dhe shtetërore, por edhe të akterëve të tjerë, përfshirë këtu mësuesit, prindërit dhe nxënësit. Në këtë frymë duhet parë edhe vendimin e nëntorit të vitit të kaluar, të Ministrit të Arsimit për ndalimin e përdorimit të telefonit gjatë procesit mësimor nga mësimdhënësit dhe nxënësit në të gjitha institucionet e arsimit parauniversitar në Republikën e Kosovës që për dike mund të jetë i nxituar, ndërsa për të tjerët i vonuar.

Sipas këtij vendimi për zbatimin e tij ngarkohet Sekretari i përgjithshëm i MAShT, Drejtoritë Komunale të Arsimit dhe drejtorët e institucioneve të arsimit parauniversitar, të cilët janë edhe përgjegjës për marrjen e masave sipas legjislacionit në fuqi në rast të shkeljes së tij. Duke parë praktikat e zbatimit të ligjshmërisë te ne, pritshmëritë për zbatimin dhe e implementimit të këtij vendimi janë fare të vogla dhe me shumë gjasë ky vendim do ta ketë fatin e shumë vendimeve dhe ligjeve të tjera të cilat tashmë është bërë praktikë të mos zbatohen. Se sa është e vështirë të ndalohet përdorimi i telefonave, te ne në Kosovë mund të marrim shembullin e testit të maturës në vitet e kaluara kur testi lehtësisht shpërndahej në rrjete sociale, madje edhe para se të fillonte.

Në të vërtetë që nga shtatori i vitit të kaluar, shkollat fillore franceze u kanë ndaluar plotësisht përdorimin e telefonave celularë fëmijëve nën moshën 15 vjeçare. Atyre nuk do t’u lejohet që të përdorin telefonat në asnjë periudhë kohore gjatë qëndrimit në shkollë. Madje ministri francez i shëndetësisë, Blanquer e quajti atë një çështje e cila dëmton edhe shëndetin publik. Në Amerikë kemi situatë më ndryshe. Drejtorët e shkollave të Nju Jorkut janë ata që vendosin nëse dhe si fëmijët përdorin telefonat mobil ndërsa ata janë pjesë e procesit arsimor. Rregulli i pashkruar është se nxënësit mund ti marrin telefonat mobil në shkollë, por ata duhet t’i mbajnë dhe ti përdorin vetëm atëhërë kur konsiderohet se përdorimi i tyre përmirëson rezultatet në mësimnxënie, që në qarqe akademike është cilësuar si përdorimi i pranueshëm dhe cilësor i teknologjive dixhitale.

A mund të përdoren këto pajisje, që edhe te në Kosovë janë bërë popullore, për të stimuluar fëmijët në arsim dhe për të qartësuar natyrën e përdorimit të telefonave celularë në shkolla, sot është dilema që tundon dhe sfidon institucionet të cilat merren me hartimin dhe zhvillimin e politikave arsimore?.
Arsyet e mundshme dhe argumentet në favor të përdorimit dhe kundër futjes së një ndalimi të plotë ose të pjesshëm në përdorimin e telefonave celularë në shkolla ka më shumë. Po përmendim disa që në qarqe shkencore konsiderohen si më të rëndësishmet.

Arsyeja e parë është që nxënësit duhet të përqëndrohen në mësimdhënie, të marrin pjesë në një diskutim të udhëhequr mbi një temë. Një arsye tjetër është se përdorimi i telefonave celularë në mësimnxënie fuqizon misionin e institucioneve arsimore që është socializimi ndërmjet nxënësve. Nxënësit mund të përdorin telefonat e mençur për qëllime akademike, gjegjësisht që nga leximi i thjeshtë e deri te shfletimi dhe shkarkimi i materialeve aktuale dhe të rëndësishme shkollore. Ndikimi i tyre në ditët e sotme zë vend me rëndësi sepse do të rrisë interesimin e tyre nëpërmjet pjesëmarrjes në klasë, zgjerimin e aftësive të të mësuarit, përgatitjen dhe paraqitjen e detyrave në kohë etj. Nxënësit përdorin telefonat e mençur si mjete mësimore edhe për shumë arsye të tilla si, komoditeti që ofrojnë këto pajisje, gjithëpërfshirje në mësimnxënie, burime të shumëfishta informacioni, multiqasje dhe socializim më i lehtë me mjedisin. Ata gjithashtu përdorin smartphonet për të bashkëvepruar me mësuesit jashtë shkollës dhe për të menaxhuar detyrat e tyre në grup. Megjithatë, integrimi i smartfonëve në një mjedis mësimor është një detyrë sfiduese duke pasur parasysh njohuritë që mund ti kenë mësuesit në Kosovë në teknolgjinë informative dhe komunikuese. Mësuesit apo ligjëruesit mund të kenë nevojë të përfshijnë smartphonët për të krijuar mësimdhënie tërheqëse dhe ndërveprim optimal me nxënësit në klasë, ose për të zvogëluar ndërveprimin ballë për ballë.

Zhvillimi i teknologjisë inkurajon mësuesit, nxënësit, prindërit dhe shkollat që të përdorin teknologjinë dhe mjetet që nga disa konsiderohen si pengesë për mësim dhe në fuqizimin e të mësuarit. Të gjitha format e teknologjisë në shkolla duhet të jenë në funksion të arsimit dhe të përdoren për të bërë procesin e mësimit më efektiv, duke zbatuar metoda të ndryshme mësimore. Nuk ka dyshim se këto politika mund të përfshijnë ndalime dhe ndëshkime apo dënime për përdorim të papërshtatshëm të teknologjisë, por edhe rekomandimet dhe udhëzimet për përdorimin e përgjegjshëm dhe të përshtatshëm.

Si arsye kundër përdorimit të telefonave të mençur gjithashtu mund t’i numërojmë disa duke filluar nga pozicionimi i parregullt i trupit të nxënësve, për të vazhduar me shoqërimin e tyre me miqtë virtual në rrjete të ndryshme sociale, që është dëshmuar se humb kreativitetin te fëmijët dhe zbeh interesimin për aktivitete të mirëfillta mësimore. Gjithashtu sot në debatin shkencor ka edhe mendime se ndalimi i përdorimit të telefonave celularë duhet të fillojë nga shtëpia e prindërve të cilët nuk e kanë të lehtë sepse hulumtimet e dekadës së fundit dëshmojnë se brezi i sotëm i të rinjëve nuk është më i interesuar në televizion i cili dikur kishte karakter arsimor.

Përdorimi i lirë i telefonave celularë në shkolla vetëm një ditë në javë, është njëri nga opcionet i cili është i pranuar nga disa grupet të cilat trajtojnë këtë temë. Kjo do t’u lejonte fëmijëve të mos ndëshkoheshin me dënimin më të rreptë, dhe në të njëjtën kohë kjo pajisje e zgjuar mund të përdoret për qëllime të dobishme.
Krahasuar me qëndrimet pozitive, negative apo të ndërmjetme ndaj përdorimit të telefonave të mençur në procesin mësimor, disa shkolla kanë marrë një qëndrim tjetër që t’i ndalojnë nxënësit të përdorin smartfonët në disa lëndë dhe orë. Disa shkolla të tjera kanë shkuar edhe më larg lidhur me ndalimin e përdorimit të telefonave, duke bllokuar madje mbulimin e sinjalit në ndërtesat dhe ambientet ku zhvillohet mësimi.

Të gjithë akterët në shoqërinë kosovare të cilët ndikohen nga kjo prurje dixhitale dhe kanë dilema apo hamendësime, duhet ta dijnë se telefonat e mençur nëse përdoren në mënyrën e duhur, mund të japin kontribut të madh në zhvillimin e aktiviteteve edukative dhe arsimore. Qëllimi i përdorimit të telefonave celularë në shkolla duhet të jetë edukativ dhe kreativ me qëllim të ngritjes së një brezi nxënësish të cilët do të jenë përgjegjës për tu përballur me sfidat e epokës dixhitale.

the authorBurbuqe Metolli