Aktuale

Për vrasjen e fëmijës shqiptar, Almir Aliu në Kumanovë, Boban Iliqit 6 vjet burg

Gjykata e Kumanovës ka dënuar me 6 vjet burg Boban Iliq, personin që vrau me veturë fëmijën Almir Aliu.
Gjykata e Kumanovë sapo shpalli aktgjykimin përmes të cilit të akuzuarit Boban Iliq i shqiptoi dënim me 6 vjet heqje lirie. Ndërkohë babai i Almirit, Sedat Aliu u dënua me 6 muaj burg, Abdulla Aliu, 9 muaj burg dhe Sami Demiri 9 muaj heqje lirie.

“Është turp që për një vepër të këtillë serioze të shqiptohet dënim prej 6 vitesh. Gjykata nuk ka marrë parasysh shumë fakte, përfshi edhe jetën e vogëlushit Almir Aliu, madje që vendimi të jetë edhe më skandaloz, gjykata shqiptoi dënim edhe për babin dhe familjarët e Almirit”, tha Asmir Alispahiç, avokat.

Alispahiç në deklaratën e tij dhënë menjëherë pas shpalljes së aktgjykimit konstatoi se ekziston problem serioz kur vjen në shprehje drejtësia ndaj përfaqësuesve të etnitetit shqiptarë.

“Nuk e kam të qartë se si ka mundësi dhe kush është ai që dëshiron të mbroj një vrasës monstruoz”. “Presim që të marrim vendimin me shkrim të gjykatës dhe më pas shpresoj se për shkka të lëshimeve ky proces duhet të kthehet sërish në shqyrtim”, tha Spahiç.

Ndërkohë familjarët deklaruan se kjo paraqet një padrejtësi të madhe.

“Shihet qartë se këtu ka padrejtësi, personi që mbyti fëmijën dënohet me 6 vjet, derisa familjarët, Sedati dhe të tjerët Gjykata i dënoi me 6, gjegjësisht 9 muaj burg. Kjo është padrejtësi”, tha Nijazi Aliu, familjar i Sedat Aliut.