Aktuale

“Përçarjet në Vetëvendosje i konvenojnë Qeverisë”

Përçarjet që janë shpërfaqur në partinë më të madhe opozitare, në Lëvizjen Vetëvendosje, e cila njëherësh ka qenë partia më e zëshme në Kuvend, i konvenojnë më së shumti koalicionit qeverisës, shkruan Gazeta Zëri.

Kështu vlerësojnë analistët politikë në vend, duke shtuar se koalicioni qeveritar nuk është stabil pasi ka vetëm 61 vota në Kuvend dhe çdo iniciativë serioze e opozitës do të mundë ta rrëzonte Qeverinë.Sipas tyre, opozita në vend se “ta luftonte” Qeverinë, ka disa ditë që po përballet me një luftë të brendshme.Në anën tjetër, zyrtarë të dy partive opozitare (LVV dhe LDK) thonë se rrëzimi i Qeverisë nuk varet nga çështjet e brendshme të një partie, por nga bashkëveprimi opozitar.

“Duke pasur parasysh numrat e nevojshëm dhe qasjen e duhur të bashkimit opozitar, atëherë mund të konstatoj që akoma nuk është arritur një bashkim i tillë i forcave opozitare për një veprim të tillë. Një veprim i tillë nuk varet nga zhvillimet e brendshme në Lëvizjen Vetëvendosje, por nga mungesa e bashkëveprimit opozitar”, ka deklaruar për gazetën Zëri deputeti i Vetëvendosje, Rexhep Selimi.