Aktuale

Përfaqësuesit e drejtësisë koordinohen në luftën kundër dukurive negative

Ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha ka pritur në takim Kryeprokurorin e Shtetit Aleksandër Lumezi dhe kryesuesin e Këshillit Prokurorial të Kosovës Blerim Isufaj.

Gjatë këtij takimi është diskutuar për bashkëpunim të mëtutjeshëm në mes tri institucioneve në mënyrë që të forcojnë edhe më tej luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe terrorizimit.

Në një deklaratë të përbashkët për media, ministrja e drejtësisë Dhurata Hoxha tha se veç tjerash kryeprokurorit të Shtetit dhe kryesuesit të Këshillit Prokurorial u ka premtuar përkrahjen e ministrisë të cilën ajo mori në drejtim javë më parë.

 

“Ishte fillimisht një takim njoftues, por gjithashtu me qëllimin vetëm të dhënies së përkrahjes sime pa rezervë në funksion të ngritjes së efikasitetit dhe përgjegjshmërisë ndaj prokurorit por gjithashtu edhe ndaj Këshillit Prokurorial të Kosovës. Gjithashtu u pajtuam…që do të kemi një koordinim  një bashkëpunim që t’i luftojmë ose të fuqizojmë edhe më tej luftën kundër korrupsionit, dhe luftës së krimit të organizuar”, tha Hoxha.

Dakordimin për bashkëpunim mes ministrisë, kryeprokurorisë dhe Këshillit Prokurorial të Kosovës, e konfirmoi  edhe kryeprokurori Lumezi, me qëllimin që sipas tij, të ketë rezultate pozitive në luftën kundër korrupsionit të nivelit të lartë dhe dukurive tjera negative të cilat veçojnë raportet dhe marrëdhëniet shoqërore në vend. Lumezi ka kërkuar nga ministrja Hoxha intensifikim të bashkëpunimit në mes ministrisë sà « drejtësisë dhe kyreprokurorisë.

 

“U dakorduam që të vazhdojmë punën e mirë të cilën e kemi pasur deri më tani me ish-ministrin dhe të vazhdojmë tani me ministren e re. Që ne shpresojmë që duhet të intensifikojmë bashkëpunimin tonë, të cilin e kemi pasur deri tani me qëllim që të kemi rezultate sa më të mira dhe efikasitet sa më të madh në luftën kundër dukurive negative, sidomos në luftën kundër korrupsionit të nivelit të lartë, krimit të organizuar, terrorizmit dhe dukurive tjera të cilat janë duke i cenuar raportet dhe marrëdhëniet shoqërore në vendin tonë”, tha Lumezi.

Ai gjithashtu tregoi që janë pajtuar që të bëjnë një ekip punues të përbashkët që do të merret me ndryshime të nevojshme  të legjislacionit përmbajtjesor, kodit të procedurës penale dhe kodit penal të Kosovës, ku theks të veçantë ka vënë te rastet të cilat merren me trajtimin e krimeve të luftës por edhe raste tjera.

Ndërsa, sa i përket kriterit të vënë nga Bashkimi Evropian për liberalizimin e vizave, që të krijohet zyra për përgjime,  u pat thënë që kjo zyrë do të funksionalizohet në muajin qershor, nuk do të ndodh pasi që funksionalizimi i zyrës së përgjimeve sipas Lumezit do të fuksionalizohet në fillim të muajit shtator.

 

Sa i përket përgjimit ne në kuadër të Këshillit Prokurorial të Kosovës i kemi hartuar të gjitha aktet nënligjore të cilat përputhet me ligjin mbi përgjimet i cili duhet të kalojë në zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit. I kemi caktuar personat përgjegjës të cilët do të punojnë në këtë zyre dhe kemi kërkuar nga agjencionet kompetente që të bëjnë verifikimin e atyre personave që do të punojnë në zyrën e përgjimeve ende nuk e kemi marr verifikimin e katre personave dhe sapo të marrim këto informacione të cilat janë të nevojshme që me pas një punën konfidenciale dhe të mos na rrjedhin informacione të cilat rrjedhin gjatë procedurës penale. Do të fillojmë me funksionalizimin e kësaj zyre, por unë besoj që në fillimin e shtatorit edhe pse kjo pak do të shtyhet kjo do të funksionalizohet dhe kjo zyre do të kaloj në zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit”, tha kryeprokurori Lumezi.

Sa i përket të nivelit të korrupsionit të lartë, Lumezi ka treguar se janë shënjuar 33 raste ku janë ngritur edhe 19 aktakuza, të cilat aktakuza janë dorëzuar në gjykata e që nga kjo e fundit pritet që të trajtohen me prioritet. /KP