Arsim & Kulturë

Përfaqësuesit e BE-së, për studentët e Kolegjit AAB, mbajtën ligjëratë informuese për lëvizjen e lirë në vendet e zonës Shengen

Një delegacion i Bashkimit Evropian (BE), i udhëhequr nga ish-ambasadori i Holandës në Kosovë, z. Robert Bosch, në përbërje prej: Peter Schreiner, ekspert për Çështje të migrimit në Ministri të Punëve të Brendshme të Austrisë, Timo Langemeijer, këshilltar për Çështje rezidente, dhe Valon Krasniqi, drejtor i Departamentit për shtetësi, mërgim dhe azil në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Kosovës, për dy ditë me radhë, para studentëve të Kolegjit AAB, dega në Ferizaj e Gjakovë, në kuadër të projektit të Bashkimit Evropian “Forcimi i institucioneve të Kosovës në menaxhimin efektiv të migrimit”, mbajtën ligjëratë informuese, për lëvizjen e lirë në vendet e zonës Shengen.

Gjatë kësaj ligjërate studentët u njoftuan lidhur me lëvizjen e tyre në shtetet e Evropës, për rreziqet e lëvizjes dhe largimit ilegal, për përparësitë e lëvizjes përmes vizave deri sa të bëhet e mundur lëvizja e lirë pa viza për qytetarët e Kosovës në zonën Shengen.

Ajo që u theksua nga përfaqësuesit e BE-se, ishte se lëvizjet në Evropë mund të bëhen, por këto lëvizje duhen të jenë lëvizje të ligjshme dhe jo ilegale meqë çdo lëvizje ilegale bart edhe pasojat e veta që nënkupton qoftë ndalimin e hyrje si në një shtet që i takon zonës Shengen, për 5 deri ne 10 vjet e deri te burgosja në shtetin në të cilin tentohet të hyhet ilegalisht.

Përfaqësuesit e BE-së theksuan se vizat që jepen lejojnë mundësinë e lëvizjes në afat prej 90 ditësh, e që pas 90 ditësh pala e cila ka vizë duhet ose të largohet nga shteti ose të bëjë kërkesë për vazhdim të vizës tek organet kompetente të një shteti të caktuar.

“Ajo që i bëri atraktive këto ligjërata ishte informimi që lidhej me mundësinë e lëvizës së studentëve për vazhdimin e studimeve, punësim i përkohshëm qoftë si studentë apo si të punësuar përmes organizatave të cilat ofrojnë garanci për ta për një periudhe të caktuar kohore, qoftë ajo periudhe e shkurtër apo më e gjatë”, tha dekanja Venera Llunji.

Bosch, ne fund të këtyre ligjëratave tha se Evropa ka nevojë për të rinj të cilët mund të studiojnë dhe punojnë dhe ka hapësirë për një shans të tillë lëvizjeje, por gjithmonë duhet pasur parasysh që çdo veprim, çdo nivel shkollimi,çdo përvojë e fituar nga puna që mund të bëhet në cilindo shtet të Evropës, duhet të bëhet vetëm me një qëllim:“Që këta të rinj të gjithë dijen dhe përvojën e marrë nga vendet e BE-së, ta bartin në Kosovë,ashtu që ky vend të zhvillohet siç duhet sepse ky vend i takon te rinjve të vet”, përfundoi ai.