Aktuale

Përfundon seanca për “veteranët”, merret edhe një vendim për pensionet e tyre

Në Gjykatën Themelore të Prishtinës ka përfunduar seanca fillestare në lidhje me aktakuzën për fryerjet e listave të veteranëve të UÇK-së, ndërsa u tha se vendimi për pezullimin e pensioneve ndaj 19 mijë veteranëve pritet të merret nga Gjykata pas seancës, i cili do t’u shpërndahet palëve me shkrim.

Gjykatësi i këtij rasti tha se për masën e përkohshme për pezullimin e pensioneve të 19 mijë veteranëve do të vendoset jashtë seancës.

Sipas tij, vendimi do të jetë me shkrim dhe do t’u shpërndahet palëve që janë të përfhsira në këtë rast.

E, nëse vendimi do të jetë për pezullim të pensioneve atëherë Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka paralajmëruar protesta.

Nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Nasim Haradinaj është deklaruar se kjo kërkesë e prokurorit Enver Krasniqi është një gabim i madh.

“Unë mendoj që është gabim i madh që është duke u bërë sepse ai nuk mundet shabllon të bëjë ndalesë ndaj njerëzve. Duhet të ndodh verifikimi e jo të dënohen të gjithë veteranët ose përndryshe duhet të bëjnë pagesë retroaktive për të gjitha pagesat. Nëse merret përsipër që të bëhet pagesa retroaktive sepse dihen njerëzit që kanë dëshmi të forta për këtë rast”, deklaroi Haradinaj.

Gjatw seancës prokurori special, Enver Krasniqi ka paraqitur kërkesën e tij që të pezullohet pagesa për 19 mijë veteranët deri në përfundim të procesit gjyqësor.

Sipas tij, kjo duhet të bëhet me arsyen se “si rezultati i veprës penale nga të pandehurit është dëmtuar buxheti i Kosovës dhe po vazhdon të dëmtohet edhe mw tutje.

Ndërsa, dhjetë të akuzuarit të pranishëm në seancë janë deklaruar si të pafajshëm. Madje ata kanë thënë se aktakuza është e pabazuar.

Të akuzuar nga prokuroria janë Agim Çeku, Nuredin Lushtaku, Shkumbin Demaliaj, Shukri Buja, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj, Xhavit Jashari, Sadik Halitjaha, si dhe Ahmet Daku e Çelë Gashi./FaktePlus