Aktuale

Përkeqësohet në masë të madhe cilësia e ajrit në Prishtinë

Bazuar në matjet e realizuara nga Institutit Hidrometeorologjik i Kosovës, nga analiza e rezultateve të fituara nga monitorimi automatik i cilësisë se ajrit, është vërejtur se gjatë ditëve të fundit janë paraqitur tejkalime të vlerave kufitare ditore me PM10.

Sipas IHMK-së, vlera kufitare ditore e lejuar për mbrojtjen e shëndetit të njeriut është 50ug/m3, ndërsa gjatë këtyre ditëve vlera maksimale e mesatares ditore është shënuar me datë 23.01.2017 e cila ka arritur në vlerën 179.0µg/m3, raporton Koha.net.

Fig. Nr.1 Paraqet përqendrimin e PM10 dhe PM2.5 në Prishtinë

“Ndërsa përqendrime më të larta janë paraqitur edhe me ndotësin PM2.5 i cili ka arritur vlerën maksimale të mesatares ditore po të njëjtën ditë dhe në të njëjtin lokacion, nga ku arrin vlerën në 179.8µg/m3”, thotë IHMK.

Ky përkeqësim i gjendjes, sipas këtij Instituti, ka ardhur si rezultat i ndryshimit të kushteve atmosferike, përkatësisht paraqitjes së kushteve të pafavorshme meteorologjike për shpërndarjen e koncentrimit të ndotësve, sikur se janë: mjegulla e dendur, shpejtësia e erës 0.0m/s, lagështia e lartë e ajrit 100%, shtypja atmosferike 953.0mb, temperatura -5.5oC.

Kjo gjendje, sipas IHMK-së, ka ndikuar që mos të ketë shpërndarje të koncentrimit të ndotësve që emitohen në ajër.

Shënim: # Vlerësimi i përqendrimit të grimcave PM 2.5 në përputhshmëri me standardet e kualitetit të ajrit bëhet duke u bazuar ne vlerën vjetore.