Aktuale

Përplasjet mes Haradinajt e Ramës

Prej ardhjes në pushtet si kryeministër i vendit, Ramush Haradinaj, nisi të përplaset me homologët e tij nga rajoni. Ndonëse Haradinaj nuk i duronte dot kritikat që i vinin, ai dinte t’u përgjigjej atyre me fjalor jo fort të zakonshëm prej një diplomati.

Nisma nga Kuvendi i Kosovës për shfuqizimin e Gjykatës Speciale kishte ngjallur reagimin e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, ndaj politikanëve në Kosovë.

Rama në mënyrë figurative politikanët në Kosovë i krahasoi me lopën.

“Kosova duhet të përqendrohet në dialogun me Serbinë dhe duhet të kërkojë me këmbëngulje të zgjidhë këtë nyje historike. Krijimi i problemeve tjera që përkthehet pastaj në paralizë të institucioneve, në qeverisje që nuk funksionon, në një kaos politik brenda që është fatal. Është ta bësh kur thotë populli si bën lopa pasi e mbush kovën me qumësht ja fut shqelm dhe nuk dihet çfarë vjen prapa”, kishte thënë Rama.

Kjo deklaratë kishte ngjallur reagime të ashpra në politikën vendore. Megjithatë, kryeministri Haradinaj kishte vendosur të heshtte.

Me deklaratën e Ramës i doli punë këshilltarit të kryeministrit, Halil Matoshi. Ai nuk e la pa ia përmendur çështjen e kultivimit të kanabisit në Shqipëri.

“S’ban me e derdhë tamlin, por as me mbjellë kanabis”, kishte shkruar Matoshi në Facebook.

Por nuk përfundon këtu përplasja mes Ramës dhe Haradinajt. Kryeministri shqiptar kishte thënë se problematika rreth demarkacionit u shpik nga politika e brendshme e Kosovës, raporton Insajderi.

Sipas Ramës, kjo ka rrezikuar seriozisht reputacionin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.

“Në ndërkohë që miqtë e mëdhenj të shqiptarëve janë të angazhuar në zgjedhjen e problemit real mes shqiptarëve dhe serbëve, demarkacioni është një problem i shpikur nga politika e brendshme e Kosovës që nuk ka asnjë bazë reale dhe që është një padrejtësi ndaj njerëzve të këtij vendi”, kishte deklaruar Rama.

Kësaj here, kryeministri Haradinaj nuk ia fali, vendosi t’i përgjigjet direkt Ramës.

“Edi Rama nuk ka çfarë të flasë për shpikjet politike në Kosovë! Le të merret me shpikjet e veta brenda Shqipërisë se i dalin boll”, kishte shkruar Haradinaj në llogarinë e tij në Facebook.

Së fundmi, Haradinaj pati përplasje deklaratash edhe me presidentin e Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan, pas arrestimit dhe deportimit të gjashtë ‘gylenistëve’ nga Kosova për në Turqi.

Madje, Erdogan kishte thënë se Qeveria Haradiaj shumë shpejt do të rrëzohet.