Aktuale

“PërPrishtinën” aplikacioni që ofron qytetarin dhe komunën

Nga sot qytetarët e Komunës së Prishtinës do të mund të raportojnë problemet të cilat i hasin çdo ditë sa i përket rendit komunal, ndotjes së ambientit, rrezikut për pronën publike, pengesave në komunikacion, dëmtimit të pyjeve dhe të ndërtimeve pa leje, e për shumë çështje të tjera.

Kjo për faktin se sot është prezantuar aplikacioni “përPrishtinën”, si dhe sistemi i tërësishëm i digjitalizimit të qendrës së thirrjeve.

Ky aplikacion u tha se është krijuar për të i ofruar më shumë hapësirë qytetarëve të Komunës së Prishtinës që të jenë pjesëmarrës në rregullimin e parregullsive që ndodhin në këtë komunë.

Drejtori i Administratës, Muhedin Nushi, tha se po fillojnë me implementimin e një projekti nga pjesa e digjitalizimit të shërbimeve publike. Sipas tij, qëllim kyç i këtij projekti është që të ofrojnë sa më shumë hapësirë që qytetarët të jenë pjesë e komunës dhe të marrin pjesë në rregullimin e parregullsive që i hasin në Prishtinë.

“Aplikacioni për të cilin sot flasim është aplikacioni “përPrishtinën” dhe ka të bëjë praktikisht me futjen e Prishtinës ose me futjen e këtij aplikacioni në një prej moduseve ose në një prej qëllimeve, ku ne qëllimin kyç deri në fund e ky është krijimi i qytetit të zgjuar, smart city. Ky është modusi i smart city faktikisht dhe në të ardhmen besoj që ky aplikacion do të ketë qëndrueshmërinë qysh ne e kemi planifikuar”, tha ai.

Sipas Nushit, çdo informacion tash e tutje do të jetë i qasshëm për qytetarët që ata të lajmërojnë çdo parregullsi përmes telefonit të tyre.

“Çdo informacion tash e tutje do të jetë i qasshëm për qytetarët tanë që të lajmërojnë çdo parregullsi përmes telefonit mobil, do të thotë është aplikacion i cili shkarkohet nga ueb faqja e Komunës së Prishtinës. Është aplikacion i cili funksionon edhe si desktop por që funksionon edhe si aplikacion për telefoni mobile, deri në marrjen e licencës nga google dhe apple që presim të marrim deri në fund të javës së ardhshme, ku do të jetë i lirë edhe në apple store edhe në google. Nga ueb faqja do të shkarkohet aplikacioni dhe të instalohet në telefonat mobil. Është aplikacion jashtëzakonisht i thjeshtë në përdorim”, tha ai.

Ai tha se përmes këtij aplikacioni qytetarët do të mund të paraqesin çdo lloj parregullsie që e hasin në Komunën e Prishtinës.

Sipas Nushit, ky projekt “përPrishtinën” paraqet mundësi që qytetari të lajmëron për parregullsitë që gjen në Komunën e Prishtinës.

Po ashtu, ai bëri të ditur se kanë bërë edhe digjitalizimin e qendrës së thirrjeve, ku qytetarët mund të thërrasin pa pagës për të paraqitur ankesat e tyre. Qendra e thirrjeve do të punoj 24 orë në 7 ditë të javës./KP