Aktuale

Përurohet përmendorja e dëshmorit Feta Selca

Kandidati për kryeministër nga koalicioni PDK-AAK dhe Nismës për Kosovën, Ramush Haradinaj ka marrë pjesë në përurimin e përmendores së dëshmorit Feta Selca në fshatin Baran të Pejës.

Ai tha se sot po merr pjesë si një bashkëluftuar dhe se në ato kohë të vështira e dha provimin, ashtu si dikur më herët në histori Barani e dha provimin.

“Do të thotë në sfidën e lirisë jeni ballë hapur, jeni me nderë, jeni me fytyrë tuaj, me nderin tuaj. Tani në këtë nderë tuajin disa familje e bartin dhimbjen, por edhe krenarinë. Janë familjet e dëshmorëve që i kujtojmë sot, andaj ne ulemi me respekt para të gjallëve. E vetmja mënyrë për me përmbush misionin e të rënëve për liri të gjitha kohërave edhe të mundit të gjithë atyre që kanë bërë për Kosovën e lirë është me i kry punët e atdheut”, tha Haradinaj.

Gazmend Syla, në emër të shoqatave tha se sa herë përkujtohen dëshmorët freskojnë kujtesën ku ishim, ku jemi dhe ku po shkojmë.

“Me gjakun e të rënëve ne sot jemi të lirë”, tha ai.

Në emër të këshillit organizativ për shënimin e kësaj dite, Musa Krasniqi, tha se po bëjnë më së paku për Fetahun dhe gjithë të tjerët kur e dinë që ata sakrifikuan çdo gjë për lirinë tonë.

Gjatë ditës i pari i AAK-së ka bërë homazhe tek varrezat e dëshmorëve në fshatin, Kosoriq./KosovaPress/