Aktuale

Pesë aksidente me të lënduar dhe 26 me dëme materiale

Gjatë 24 orëve të fundit, Policia e Kosovës njofton se janë shënuar pesë aksidente me të lënduar, ndërsa 26 aksidente kanë pasur vetëm dëme materiale.

Bajram Krasniqi, zëdhënës i Policisë së Kosovës, i tha KosovaPress-it se nga të gjitha këto aksidente nuk ka pasur raste me fatalitet.

“Statistikat e 24 orëve të fundit janë që aksidente fatale janë zero, aksidente me lëndime kanë qenë pesë ndërsa me dëme materiale kanë qenë 26 aksidente”, tha ai.

Nga ana tjetër Krasniqi tha se në 24 orët e fundit, Policia e Kosovës ka shqiptuar 242 gjoba.

“Tiketa apo gjoba gjatë 24 orëve të fundit janë shqiptuar gjithsej 242”, tha ai.

Zëdhënësi i Policisë tha se qarkullimi në rrugë ka qenë pa shumë vështirësi dhe se deri tash nuk ka rrugë që janë plotësisht të bllokuara.

“Nuk kemi asnjë informatë që ndonjë rrugë është tërësisht e bllokuar, në disa rrugë lëvizet me më shumë vështirësi”, tha ai.

Policia e Kosovës apelon tek drejtuesit e veturave që të kenë pajisjet dimërore. /KosovaPress/