Aktuale

Pikë kalimi në Merdare, më i frekuentuari

Si rrjedhojë e fluksit të madh të automjeteve dhe procedurave në pikë kalimin kufitarë në Merdare, pritjet për hyrje dhe dalje janë rreth 30 minuta, pasi që tani për tani kontrolli po zhvillohet në dy krosi. Pika kufitare më e frekuentuar mbetet prapë ajo në Merdare, e cila lidhëRepublikën e Kosovës dhe atë të Serbisë.Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, i tha KosovaPress-it se gjendja e sigurisë në pikë- kalimet kufitare që lidhin Kosovën me vendet tjera, është e qetë dhe qarkullimi i mallrave dhe i njerëzve po zhvillohet normalisht. Ai mes të tjerash tha se Policia e Kosovës ka ngrit kapacitetet duke bërë shtimin e prezencës policore në pikat kufitare, me aplikim kontrolli në dy krosi për t’i shmangur pritjet e shumta.

“Nëse i referohemi pikave kufitare të cilat kanë të evidentuara pritje apo kolona të automjeteve, kryesisht mund të themi që ndër pikat kufitare më të frekuentuara tani  në këta dy muaj është pika kufitare në Merdare që lidh Republikën e Kosovës me atë të Serbisë. Këto pritje dhe kolona krijohen kryesisht si rezultat i ardhjes së bashkatdhetarëve tanë që vijnë kryesisht në sezonin e verës, konkretisht muajin korrik dhe gusht, për të kaluar pushimet e tyre në vendlindje. Ne si Polici e Kosovës me planifikimet tona çdoherë ngrisim kapacitete policore, bëjmë shtimin e prezencës policore në pikat kufitare, aplikojmë shpesh kontrollin në dy krosi, si në hyrjen ashtu edhe në dalje, si dhe  punojmë me procedurat të përshpejtuara të kalimit kufitar apo kontrollit kufitar në mënyrë që t’i shmangim sa më shumë pritjet e gjata të bashkatdhetarëve tanë që e dimë që kalojnë orë të tëra në rrugë për të ardh ur në Kosovë”, tha Kelani.

Ai gjithashtu tha se mbajnë kontakte edhe me autoritete e Policisë në Serbi, nga të cilët shpesh kërkojnë që të aplikojnë procedura më të përshpejtuara të pikë-kalimit kufitar në mënyrë që të ketë më pak pritje.

“Ne si Polici e Kosovës bëjmë kontakte edhe me autoritetet policore serbe, shpesh i kërkojmë që të aplikojnë procedura të përshpejtuara në pikë-kalimet kufitare edhe ata, në mënyrë që të kemi sa më pak pritje. Nëse i referohemi informacioneve të mesditës së sotme, informacionet janë se në hyrje ka pritje diku rreth 30 min ndërsa në dalje nga një deri në dy orë, mirëpo gjendja mund të ndryshoj varësisht prej frekuentimit të automjeteve qoftë në hyrje apo edhe në dalje.   Nëse i referohemi numrit të personave të cilët janë kontrolluar vetëm  gjatë 24 H të fundit , flas për personave që kanë kaluar në-për pik-kalime kufitare, mund të them që në hyrje kanë qenë diku 33 mijë e 440 persona të kontrolluar, ndërsa në dalje kanë qenë  25 mijë e 957 persona”,tha Kelani.

Ndërsa bashkatdhetarët tanë të  cilët vijnë nga vende të ndryshme të botës nuk janë të kënaqur me pritjet që po u bëhen në pikë-kalimet kufitare.

Zef Berisha, njeri prej mërgimtareve i cili vjen nga Zvicra, tha se në pikë-kalimin kufitar Serbi-Kosovë ata presin me orë të tëra.

”Kemi ardhur prej Zvicrës, rrugës kemi ardhur më mirë se vjet, jemi nis pak më vonë, se herët nuk po bën me u nis, para pushimit… Pak në Serbi na ka ra me prit, ata po na lajnë me prit. Po në përgjithësi nuk ka pas asnjë problem“, tha Berisha.

Ndërsa Vjollca Krasniqi  tha se në kufirin e Serbi-Kosovë kanë lënë të presin rreth 45 minuta.

“Maltretime, 45 min kemi prit aty, por janë kush janë bëjnë çka të donë. Me Policin e Kosovës shumë mirë, na përcjellën shumë mirë, na nderojnë, na respektuan, kënaqësi e jashtëzakonshme. Deri tani kemi pas jashtëzakonisht raste te këndshme, mjafton që është policia e jonë, na flasin gjuhën tonë, nuk na maltretojnë, se i kemi përjetua këto gjana qysh në vitin 1988 si nxënës kur kam qenë, kështu që për nga ana e Policisë tonë është gjithçka në rregull”,tha Krasniqi.

Fatos Avdimetaj i cili kaloj shumë kilometra për të mbërritur në Deçan tek vendlindja e tij, tha se gjithmonë duhet të përgatiten më herët kur shkojnë në kufi me Serbinë, ngase ata shpesh të nxjerrin ndonjë kërkesë për dokumente shtesë, e në rast se nuk të gjendet ata edhe të kthejnë mbrapa.

“Mirë kemi kaluar, vetëm këtu na vonuan pak sepse po lypin letra, po duhet të ja lëmë të përgatitura krejt dhe kur nuk po  i kemi ne rregull po na thonj të kthehemi mbrapa,pse nuk i keni përgatitur po thonë. Ndërsa policia e Kosovës shumë mirë janë sjellur, shumë shpejt po ecin, a serbet veç po lypin diçka me na vonuar”, tha Avdimetaj.

Fatmir Ilazi  thotë se rruga ka shkuar shumë mirë por më e keqja është se u duhet të paguajnë sigurim menjëherë pasi të hyjnë në Kosovë.

“Mirë kemi kaluar , kemi prit shumë por mirë kemi ardhur. Siç po shihet mirë është. Me sigurime katastrofë, si të vijmë duhet me pagua. Nuk jemi të kënaqur me këtë, por nuk mund të bëjmë diçka tjetër”, tha Ilazi.

Përndryshe, gjatë vitit 2014 në periudhën kohore janar-dhjetor në gjithë territorin e Kosovës,  janë kontrolluar 31 mijë e 229 perona, 24 mijë e 434 automjete, ndërsa në vitin 2015 në periudhën kohore janar-dhjetor janë kontrolluar 40 mijë e 752 persona dhe 24 mijë e 628 automjete. /kp