Aktuale

Policia e Lezhës, plan masash për të rritur sigurinë

Fluksi i pushuesve në zonat turistike të Lezhës është shoqëruar edhe me shtim të prezencës së policisë për të rritur sigurinë.

Shefi i qarkullimit në drejtorinë vendore të policisë Lezhë, Adriatik Huti thotë se ky përqendrim i policisë nuk ka qëllim ndëshkimin, por ndërgjegjësimin në parandalimin e aksidenteve rrugore dhe ngjarjeve kriminale.

Patrullat e uniformave blu përshkojnë të gjithë zonën, madje edhe shëtitoren kryesore. Edhe këtë verë nuk mungon mbështetja e patrullave të policisë nga Kosova. Sipas njoftimit për shtyp nga Policia e Lezhës, janë caktuar shërbime shtesë të policisë rrugore të planizuar për nevojat e trafikut gjatë sezonit veror 2017, si dhe është bashkëpunuar me Policinë e Kosovës për shërbime të përbashkëta.

Akset rrugore bregdetare do të mbahen nën vëzhgim me patrullime të shpeshta me qëllim normalizimin e trafikut dhe ndërhyrjen në kohë sa më të shpejtë në rastet emergjente. Policia bën me dije se deri në datën 30 shtator 2017, gjatë fundjavës, duke filluar në oraret 09:00-14:00 e ditës së shtunë dhe në oraret 12:00-00:00 e ditës së diel, do të ndalohet (kufizohet) qarkullimi i mjeteve rrugore të cilët transportojnë mallra me peshë të përgjithshme të autorizuar mbi 7.500 kg.

“Po ashtu do të ndalohen dhe mjetet rrugore me ngarkesë të pandashme me gjatësi më të madhe se 12 m; mjetet rrugore ose bujqësore që kanë shpejtësi më të vogël se 40 km/orë dhe mjetet rrugore që shërbejnë për kursantët e autoshkollave mësimore”, thuhet në njoftimin e policisë.

Segmentet rrugore ku nuk do të lejohet qarkullimi i këtyre mjeteve në oraret e përcaktuara më sipër, janë: Lezhë – Shkodër , Lezhë – Shëngjin, Lezhë – Patok, Lezhë – Tale, Lezhë – Kryqëzimi i Milotit. Policia e Lezhës kërkon bashkëpunimin dhe mirëkuptimin e drejtuesve , që për të shmangur krijimin e trafikut të rënduar nga fluksi i lartë i mjeteve, në raste nevoje, të mos përdorin aksin kryesor të rrugës por aksin dytësor, siç janë: rruga dytësore Milot Zejmen Lezhë dhe anasjelltas; rruga dytësore ” Ishull – Shëngjin” që lidhet me autostradën për të shmangur fluksin e lartë të mjeteve në kthim nga Shëngjini.

Dalja nga Shëngjini duhet të bëhet në krahun e djathtë të rrugës, në drejtim dhe marrje të rotondos të Ishull – Shëngjinit. Po ashtu, policia kërkon që të respektohen sinjalistika rrugore dhe sinjalistika orientuese që jepet nga punonjësit e policisë.

Sipas njoftimit të policisë, gjatë periudhës së sezonit turistik, deri më sot, nga Policia Rrugore janë vendosur 4500 masa administrative për shkelje të ndryshme (parakalim i gabuar, mosvendosje e rripit të sigurimit, përdorim i telefonit, shpejtësi etj), janë tërhequr 310 leje drejtimi si dhe janë arrestuar 27 shtetas për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, “Drejtim mjeti në mënyrë të parregullt” parashikuar nga nenet 290 dhe 291 të Kodit Penal. Policia kërkon bashkëpunimin e qytetarëve dhe pushuesve që të vihen në dijeni për këto masa me qëllim mbarëvajtjen me sukses dhe ruajtjet e rendit e të sigurisë rrugore gjatë gjithë sezonit turistik të këtij viti.

Patrullimet në zonat turistike të Lezhës vijojnë gjatë 24 orëve, ndërsa deri më tani sezoni ka qenë i qetë dhe pa incidente apo ngjarje kriminale.