Aktuale

Policia konfiskon arsenal armësh në Klinë

Policia e Kosovës, mbrëmë në Klinë ka konfiskuar disa armë me ç’rast ka arrestuar edhe një 25-vjeçar.
Policia e Kosovës ka njoftuar se mbrëmë rreth orës 23:40 në Klinë, përderisa patrulla e Policisë së Kosovës ishte duke zhvilluar një plan operativ, ka pranuar një informacion se një person në një lokal posedon armë, shkruan lajmi.net.

Sipas njoftimit, Policia menjëherë ka ndërmarrë veprimet e nevojshme në atë lokacion dhe të personi i dyshuar gjatë kontrollimit është gjetur arma-pistoletë e tipit ‘Zastava 7.65mm’, prodhim Jugosllav, 1 karikator dhe 6 copë fishek të njëjtit kalibër.

Më këtë rast, Policia ka arrestuar 25-vjeçarin me inicialet E.I. dhe me urdhër të prokurorit të shtetit është ndaluar për 48 orë, për të vazhduar me procedura te mëtutjeshme, shkruan më tutje lajmi.net.

“Policia e Kosovës bazuar në urdhëresën me shkrim, të lëshuar nga Gjykata Themelore Pejë – dega Klinë, njësiti i hetimeve në koordinim me Prokurorinë Themelore në Pejë si dhe në përkrahje edhe nga njësitë relevante, me 16.01.2019, ka kryer bastisjen e shtëpive dhe lokaleve përcjellëse te dy vëllezërve A.I. dhe A.I. në fshatin Shtupel-Klinë”, thuhet më tutje në njoftim.

Sipas Policisë, gjatë bastisjes, në shtëpinë e njërit nga të dyshuarit janë gjetur dhe konfiskuar një pushkë automatike AK-47, prodhim Jugosllav, dhe 4 karikator të AK-47, një pushkë automatike 20-she, prodhim i Shqipërisë me 1 karikator, një pushkë automatike ‘sharc’, prodhim Kinez, 1 karikator me 22 fishekë kalibrit 7.62 x 25mm, një pistoletë Zastava M-57, prodhim Jugosllav, 1 karikator me 6 fishek kalibrit 7.62 x 25mm si dhe tre fishekë të kalibrit 16 GA.

Lidhur me rastin është njoftuar prokurori i shtetit dhe i njëjti ndaj te dyshuarit ka udhëzuar qe te hapet rasti “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim te paautorizuar te armëve” dhe i dyshuari pas intervistimit është liruar ne procedure te rregullt.

Më poshtë ju sjellim fotografinë e armëve dhe municionit të konfiskuar. /Lajmi.net/