Aktuale

Policia: Nuk ka eksod të qytetarëve

Pas deklarimeve dhe publikimeve të disa informacioneve të fundit lidhur me gjoja një fluks apo eksod të ri të kosovarëve, ka reaguar Policia e Kosovës, e cila njofton se nuk bëhet fjalë për kurrfarë eksodi të qytetarëve dhe se nuk ka vend për shqetësime të tilla.

Policia në një komunikatë për media ka bërë të ditur se ka ndërmarrë veprime për verifikimin e informacioneve për një eksod të mundshëm dhe në bashkëpunim me Ministrinë e Infrastrukturës dhe autoritetet tjera është konstatuar se nuk bëhet fjalë për eksod dhe nuk ka asnjë konfirmim nga asnjë shtet i BE-së, se ka rritje të numrit të kërkesave të kosovarëve për azil.

“Gjatë sezonit veror vendin tonë e kanë vizituar shumë bashkatdhetarë tanë, andaj një numër i madh i tyre kanë përfunduar pushimet dhe festat dhe si zakonisht kthehen nëpër vendet ku ata jetojnë dhe punojnë. Autoritetet tona kanë njoftuar rregullisht përmes mediave për qarkullimin dhe fluksin nëpër pikat e kontrollit kufitar si në hyrje dhe dalje të Kosovës dhe masat e ndërmarra për lehtësim në qarkullim, andaj raportimet për ikje masive apo eksod të qytetarëve në mënyra tjera janë të pavërteta”, thuhet në komunikatë.

Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në garantimin e rendit dhe sigurisë dhe apelon te mediat që kërkesat për informacione t’i adresojnë tek autoritetet kompetente në mënyrë që t’u shmangen publikimit të dezinformatave.