Aktuale

Policia: Thaçi asnjëherë s’ka qenë në Serbi

Ndonëse ka qenë i ftuar për raportim, drejtori i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni nuk ka marrë pjesë në mbledhjen e Komisionit për Punë të Brendshme.

Në vend të tij, zëvendësdrejtori Naim Rexha, ka raportuar rreth arrestimit të drejtorit të Policisë për rajonin e Mitrovicës, Nehat Thaçit, nga autoritetet e Serbisë.

Ai ka deklaruar se Policia së bashku me ministrin e Punëve të Brendshme dhe Qeverinë e Kosovës, po angazhohet për lirimin e Thaçit, nga paraburgimi prej 30 ditësh në burgun e Nishit.

“Autoritet serbe për arrestimin e Thaçit kanë kontakte me UNMIK, por jo edhe me Policinë e Kosovës. Sipas dëshmitarëve të rastit, Thaçi është ndaluar në kufi rreth orës 20:00, të datës 28 shtator, në atë kohë Thaçi ka qenë në pushim pesë ditor, të autorizuar nga Policia. Thaçi kishte planifikuar të vizitonte të afërmit e tij në Gjermani dhe Zvicër duke kaluar tranzit nëpër Serbi”, tha Rexha.

Rexha ka deklaruar se fletëarresti për Thaçin nga ana e Serbisë, është lëshuar në vitin 2010, ndërsa kjo ka qenë hera e parë që ai ka kaluar nëpër Serbi.

Ai ka thënë se drejtori i Policisë, Shpend Maxhuni nuk ka injoruar Komisionin, por ka qenë jashtë vendit.

Ndërsa, deputeti nga radhët e AAK-së, Daut Haradinaj, vlerësoi se Policia e Kosovës nuk duhet të politizohet në rastin e Thaçit, por duhet të zbatoj ligjin në fuqi. /KP