Aktuale

PRAK kërkon shkarkime në rastin e vdekjeve në QKU

Shoqata e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë me anë të një komunikate për media shpreh shqetësimin në lidhje me gjendjen e krijuar në QKUK pas rasteve të 4 vdekjeve të dyshimta.

Karta e të Drejtave të Pacientëve u garanton secilit qytetar sigurinë në institucionet shëndetësore dhe institucionet janë të obliguara të garantojnë këtë. Kjo e drejtë është shkelur dhe si pasojë kemi humbje jete të pacientëve dhe dëmtim të shëndetit të shumë pacientëve të tjerë.

“Kjo tragjedi që ndodhi dhe po ndodhë, vuri në pah edhe një çështje tjetër, që institucionet tona pacientëve janë duke ju ofruar barna të kontrabanduara nga institucione të pa licencuara. Edhe nëse nuk ka një lidhje kauzale në mes të gazit dhe vdekjeve të pacientëve, është mjaftueshme që institucionet kanë hyrë në marrëdhënie kontraktuale me kompani të pa licencuara”, thuhet në komunikatën e kësaj Shoqate.

Shoqata e Pacientëve kërkon që ministri i Shëndetësisë të pezullojë personat përgjegjës për kontraktimin e këtyre barnave dhe produkteve mjekësore deri në sqarimin e tyre; Prokuroria e Shtetit në një afat sa më të shpejtë të përfundojë hetimet lidhur me rastin; të gjithë deputetët e Parlamentit të Republikës së Kosovës të angazhohen për thirrjen e një interpelance për t’u diskutuar vdekjet serike të pacientëve në spitale.

Siç shkruan në komunikatë një helmim masiv i pacientëve në një institucion shëndetësor në shtetet e avancuara do të duhej që e gjithë Qeveria të jepte dorëheqje ndërsa presin që kërkesat e tyre të merren seriozisht nga ministri i Shëndetësisë, Prokuroria e Shtetit dhe deputetët e Kuvendit të Kosovës.