Aktuale

BE i premton Serbisë anëtarësimin pas përfundimit të dialogut me Kosovën

Kryetari i Këshillit Evropian, Donald Tusk, ka theksuar sot se Bashkimi Evropian llogarit në Serbinë dhe se Serbia mund të llogarisë në anëtarësimin e plotë të saj në BE pas përfundimit të dialogut me Prishtinën.

“Në fund të dialogut, ekziston anëtarësimi i plotë i Serbisë në BE. Këtë e kemi premtuar në Selanik dhe kjo është ajo që jemi të gatshëm ta përmbushim”, citon Tanjug të ketë thënë Donald Tusk, kryetar i Këshillit Evropian pas takimit me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili po qëndron në Bruksel.

“Ekziston perspektiva dhe kjo është gjë e mirë, por Serbia dëshiron të marrë një motivim më të madh”, ka thënë Vuçiq pa këtij takimi dha ka shtuar se tani është koha të bisedojë edhe me liderët e Gjermanisë e të Francës, Angela Merkeln dhe Emnanuel Macronë.

“Kemi biseduar për procesin e dialogut me Prishtinën dhe për parashikimet tona lidhur me të. Se çfarë shohim si mundësi për ta përfunduar këtë proces, si ta bëjmë dhe si të jemi njësoj të kënaqur ose të pakënaqur në Beograd e në Prishtinë. Si të bëjmë diçka për paqe të qëndrueshme në rajon”, ka thënë Vuçiq.