Rajon & Botë

Presidenca Trumpit në krizë?

Presidenti Donald Trump po përpiqet të dalë nga situata, pas dorëheqjes së këshilltarit të tij për sigurinë kombëtare, Michael Flynn, që ngre pikëpyetje në lidhje me aftësinë e tij për personat që ka mbledhur rreth vetes, por gjithashtu edhe për çështjen e mprehtë të marrëdhënieve me Moskën.

Më pak se një muaj nga marrja e detyrës dhe disa ditë pas kthimit mbrapsht në gjyqësor të dekretit të tij për migracionin, Presidenti amerikan duhet të zëvendësojë një personazh qendror në kabinetin e tij.

I akuzuar për kontaktet e tij me ambasadorin rus në Uashington, Sergei Kisljak, ish-gjenerali Flynn u detyrua të japë dorëheqjen.

Në letrën e tij të dorëheqjes, ai pranoi se në mënyrë të shkujdesur ka mashtruar zëvendëspresidentin e zgjedhur, Mike Pence duke i dhënë informacione të paplota për bisedat telefonike me diplomatin rus.

Shtëpia e Bardhë u përpoq sot për të kufizuar dëmet.

Kellyanne Conway, këshilltare e afërt e Trump kaloi nga një televizion në tjetrin, në përpjekje për të përmbledhur çështjen në qasjen e një këshilltareje.

Ish-ministrja amerikane e përkohshme e Drejtësisë dhe Kongresi kanë nisur hetime të veçanta për lidhje të mundshme mes këshilltarëve të fushatës së Trump dhe Moskës.

Shërbimet sekrete amerikane deri më tani kanë arritur në përfundimin se presidenti rus, Vladimir Putin ishte gjithashtu përgjegjës direkt në interferimin e bërë në zgjedhje.

“Dorëheqja e Flynn mund të jetë indicia e mundshme e një serie të re hetimesh”, vlerësoi Julian Zelizer, pedagog në Princeton University, në një kryeartikull të publikuar në CNN./KosovaPress/