Aktuale

“President, gabimi historik përimirësohet me plotësimin e ligjit për Specialen”

Pas kritikave të presidentit të vendit Hashim Thaçi drejtuar Bashkësisë Ndërkombëtare për imponimin e themelimit të Gjykatës Speciale, OJQ ‘Familja dhe Shpresa’ i është drejtuar me një letër të hapur presidentit.

Kjo organizatë e cila në vazhdimësi thërret krerët më të lartë të shtetit që të bëjnë plotësimin e ligjit për Gjykatën Speciale, këtë herë i është drejtuar presidentit, nga i cili kërkon inicimin për plotësimin e ligjit për Gjykatën Speciale, që përmes tij gjykohen edhe krimet e kryera nga ana e Serbisë ndaj civilëve shqiptarë.

“Kurrë nuk është vonë që të përmirësoheni. Gjykata speciale, e cila sipas ligjit aktual nuk do të merret me krimet e Serbisë ndaj civilëve shqiptarë të Kosovës, mund të pësojë ndryshime me iniciativën tuaj. Ky ligj mund të përmirësohet duke u plotësuar nga parlamenti i Kosovës, pikërisht me nismën tuaj, sipas kompetencave kushtetuese që keni”, thuhet në letrën e OJQ-së “Familja dhe Shpresa”.

Në letër i kërkohet presidentit që të shfrytëzojë këtë përgjegjësi dhe të kërkojë nga të parlamenti i Kosovës që ligji për Specialen të plotësohet dhe të mundësojë që në këtë gjykatë të gjykohen Serbia dhe kriminelët e saj.

“Vetëm në këtë mënyrë, ju mund të përmirësoni gabimin historik që bëri bashkësia ndërkombëtare në bashkëpunim me ju personalisht dhe me partitë e tjera shqiptare që e votuan këtë ligj në formën e tashme selektive. Prandaj, zëvendësojini këto kritika ndaj bashkësisë ndërkombëtar me plotësimin e këtij ligj të mbrapshtë”, theksohet ndër te tjera në letrën e “Familja dhe Shpresa” drejtuar presidentit./KosovaPress/