Aktuale

Presidenti, i dobët karshi të fortëve të PDK-së

Shtatë kryetarë aktualë dhe pesë kryetarë të mëhershëm të komunave nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës janë përballur me procese të ndryshme gjyqësore. Ish-kryetari i kësaj partie, Hashim Thaçi, tani në cilësinë e presidentit, thotë se do të angazhohet për dekriminalizim të institucioneve. Deklaratat e Thaçit opozita dhe analistët i quajnë hipokrizi.

“Si president i vendit zotohem para qytetarëve se askush me aktakuza apo të dënuar nuk duhet të jenë pjesë e institucioneve të Republikës së Kosovës”. Kështu ka deklaruar presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, duke folur për dorëheqjen e ministrit të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferid Agani. Presidenti ka thënë se Agani duhet të jetë shembull për zyrtarët tjerë që janë me aktakuza.

Megjithatë, kjo deklaratë e presidentit cilësohet si hipokrizi nga subjektet opozitare dhe nga analistët politikë për faktin se Thaçi sa ishte kryetar i PDK-së dhe kryeministër i Kosovës ka lejuar që personat, të cilët kanë pasur probleme me ligjin, të jenë në listat zgjedhore, madje edhe kryetarë komunash e deputetë me shumë ndikim. /Zeri