Aktuale

Presidentja e Zvicrës, Leuthard uron Haradinajn

Presidentja e Konfederatës Zvicerane, Doris Leuthard, ka përgëzuar kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj me rastin e zgjedhjes së tij në krye të qeverisë, duke thënë se Kosovën në të ardhmen e presin reforma të rëndësishme, nga të cilat do të përfitojnë qytetarët.

“Zvicra dhe Kosova kanë marrëdhënie të ngushta, të karakterizuara me lidhje domethënëse njerëzore dhe kulturore. Komuniteti i madh kosovar që jeton në Zvicër ka pasur rolin e urës lidhëse, duke forcuar mirëkuptimin tonë të përbashkët dhe duke kontribuar në prosperitetin e të dyja vendeve”, ka thënë Leuthard.

Kreu i shtetit zviceran ka theksuar se stabiliteti dhe zhvillimi i Kosovës është një shtyllë tjetër e rëndësishme e marrëdhënieve bilaterale ndërmjet dy shteteve, ndërkohë që Zvicra mbetet e angazhuar për të vazhduar misionin e saj në mbështetje të paqes duke marrë pjesë në KFOR.

“Në aspektin civil, Agjencia Zvicerane për Bashkëpunim ka mbështetur Kosovën në rrugën e saj drejt integrimit rajonal dhe evropian që nga viti 1998 dhe do të vazhdojë të bëj këtë edhe në të ardhmen. Bazuar në këtë, unë jam e bindur se marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve tona do të vazhdojnë të zhvillohen në të ardhmen”, thuhet në urim.