Aktuale

Prezantohet Strategjia kombëtare e Prokurimit publik

​Ministria e Financave dhe Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik, kanë prezantuar “Strategjinë kombëtare të Prokurimit publik 2017-2021”, e cila synon një sistem efikas, llogaridhënës dhe plotësisht transparent.

Kryeministri i vendit Isa Mustafa, tha se është një prej strategjive më të rëndësishme për vendin. Ndërsa, shprehu përkushtimin e Qeverisë të cilën e drejton, për mbështetjen e kësaj strategjie dhe të këtij procesi, me qëllim që të jetë sa më transparent dhe efikas.

“Është fjala për një strategji e cila i plotëson të gjitha kriteret dhe mund të ndikojë në përmirësimin e këtij procesi, që është shumë i rëndësishëm për ne, nga vet fakti që edhe strategjia është vlerësuar që diku nga 9 deri në 12 përqind e bruto-produktit vendor, kapërcen përmes procedurave të prokurimit publik dhe është pjesë e prokurimit publik ose mbi 33 përqind të buxhetit të Kosovës në vit, shpenzohet për investime kapitale, ose investime tjera për të cilat zhvillohen procedura të prokurimit publik. Për neve është e rëndësishme që të përplotësohen këto komponente, që janë përfshirë në strategji, siç është komponenta e efikasitetit dhe transparencës, të cilën ne dëshirojmë ta rrisim edhe njërën, edhe tjetrën. Pastaj e rritjes së kapaciteteve, të harmonizimit të legjislacionit me legjislacionin evropian të zhvillimit të sistemit të komunikimit ndërmjet palëve në këtë proces dhe me komunitete, në mënyrë që të gjitha veprimet të jenë transparente, deri te aplikimi i prokurimit elektronik, që është një fazë prapë shumë e rëndësishme për ne”, tha ai.

Ministri i Financave, Avdullah Hoti tha se avancimi i Prokurimit Publik mbetet prioritet kryesor i kësaj Qeverie. Ndërsa, strategjia në fjalë, siguron një sistem transparent, sa i përket shfrytëzimit të parasë publike.

“Një pjesë e konsiderueshme e bruto produktit vendor, kryhet përmes aktiviteteve të prokurimit, ndërkaq një pjesë shumë e madhe e buxhetit të shtetit, kalon përmes procedurave të prokurimit publik dhe kjo është shumë e rëndësishme për një sistem efikas, llogaridhënës dhe plotësisht transparent. Përmes në kësaj në MF, ne kujdesemi shumë, prandaj, i kemi dhënë mbështetje të madhe komisionit rregullativ të prokurimit publik, në aktivitete, reforma që ka bërë dhe në këtë strategji. Përmes kësaj reforme neve na mundësohet një shfrytëzim shumë më efikas i parasë publike, normalisht prokurimi publik është bërë pjesë e rëndësishme e reformave, që i kërkohet t’i bëjë Qeveria e Kosovës, në rrugën drejtë integrimit në BE”, tha ai.

Kryetari i komisionit rregullativ i Prokurimit Publik, Safet Hoxha tha se kjo strategji do të jetë një udhërrëfyes në rrugëtimin e tyre, në pesë vitet e ardhshme.

“Kemi identifikuar edhe dobësi të cilat edhe më tutje e përcjellin këtë fushë, që lidhen me mungesën e ekspertizës profesionale në fushën e planifikimit të qëndrueshëm, përbrenda institucioneve…. Perceptimi i përgjithshëm nga akterët e Prokurimit Publik dhe publikut të gjerë në sistemin është i ndjeshëm ndaj praktikave korruptive. Fillimi i praktikave moderne të prokurimit, si marrëveshjet kornizë dhe prokurimet e centralizuara, të cilat do të rrisin vlerën për para, me gjithë kapacitetet që janë të kufizuara në realizimin e këtyre objektivave dhe strategjia gjithsesi që ka paraparë një zgjidhje për këtë çështje. Edhe nivelin jo të mjaftueshëm të profesionalizimit të zyrtarëve të prokurimit, i kombinuar me një lëvizje të konsiderueshme të tyre në institucione. Në këtë drejtim Strategjia Kombëtare e Prokurimit publik ka për qëllim, që t’i adresoj këto probleme, në mënyrë që të arrihet, përparimi gradual në pesë vitet e ardhshme”, tha ai.

Po ashtu, u tha se Strategjia për realizimin e saj, ka paraparë një vizion i cili synon të krijojë një sistem funksional, konkurrues, të përgjegjshëm dhe transparent të prokurimit, që siguron besimin e taksapaguesve dhe qytetarëve të Republikës së Kosovës./KP