Aktuale

Prishtina i jep “krahë” Vetëvendosjes në Kuvendin Komunal

Kryetari aktual i Prishtinës, Shpend Ahmeti, në një konferencë për media ka bërë të ditur se Lëvizja Vetëvendosje ka arritur të dyfishojë numrin e asamblistëve për Kuvendin Komunal të Prishtinës.

Ahmeti tha se me 22 tetor kanë kërkuar nga qytetarët e Prishtinës që t’i japin “krahë” Prishtinës, me qëllimin që projektet e tyre t’i zbatojnë edhe në ato fusha që kërkohet vota e Kuvendit Komunal.

Kreu i Prishtinës tregoi edhe arsyen pse ka qenë e nevojshme që ta ketë “krahun” e Kuvendit Komunal, ku ai tha se në zotimet e tyre që i kanë për mandatin e ardhshëm kanë shumë tema, të cilat kanë nevojë për votën e Kuvendit Komunal.

“Duke filluar nga fakti që në mbledhjen e parë të Kuvendit Komunal do të iniciojmë hartën zonale që është plani rregullativ i Prishtinës, që do të definon se si do të duket Prishtina në jo vetëm katër vitet e ardhshme, por në 15 deri në 20 vitet e ardhshme. Sa i përket zhvillimit, ndërtimeve, zgjerimit, infrastrukturës, do të jetë pikërisht Kuvendi Komunal ai i cili do të vendos. Po ashtu, kemi projekte madhore infrastrukturore të cilat shumë shpesh janë projekte të natyrave që kërkojnë votën e Kuvendit Komunal, qofshin ato kalimi i pallatit të rinis në menaxhim të Komunës së Prishtinës, por ndoshta edhe më me rëndësi se të gjitha të tjerat është fakti që ndërmarrjet publike komunale menaxhohen nga kryetari i Komunës dhe nga Kuvendi Komunal”, theksoi ai.

Ahmeti tha se në Kuvendin Komunal të Prishtinës si Vetëvendosje tashmë kanë përfaqësim të grup-moshave të ndryshme, përfaqësim të të gjitha lagjeve të Prishtinës, përfaqësim gjinor.

Po ashtu, ai tha se kanë edhe përfaqësimin profesional, prej artit, kulturës, tek ndërtimtaria, arkitektura, shëndetësia, arsimi e kështu me radhë.

Ndërsa, garën e balotazhit që do të mbahet më 19 nëntor Ahmeti tha se është garë në mes të dy opsioneve, të ardhmes dhe të kaluarës.

Tashmë gara është më jo mes dy individëve, por mes dy opsioneve, të ardhmes dhe të kaluarës. Sepse që në ditën e zgjedhjeve u pa që në Kuvendin Komunal dhe nga subjekti tjetër kanë fituar njerëzit e njëjtë që kanë qenë në qeverisjen komunale prej vitit 2001 deri në vitin 2013 që kanë qenë edhe përgjegjësit kryesor për gjendjen në të cilën ka qenë Prishtina. Në anën tjetër po e them kemi njerëzit të cilët janë votuar për punën e tyre, për të gjithë atë që kanë bërë në jetë dhe e kanë synimin gjithmonë ta përmirësojnë Prishtinën, ta përmirësojnë komunën tonë. Dhe duke shikuar katër vitet e fundit dhe duke shikuar katër vitet e ardhshme definitivisht në Kuvendin Komunal sot jam shumë më i lumtur sepse e di që Kuvendi Komunal do të jetë më përfaqësues, më i dinjitetshëm dhe natyrisht edhe më kontrollues për punën e ekzekutivit”, tha ai.

Asamblisti më i votuar në Prishtinë nga Vetëvendosja, Arben Vitija, që në mandatin e kaluar ka qenë drejtor i Drejtorisë së Shëndetësisë, tha se besimi që kanë marrë është një besim edhe për punën e kryetarit Shpend Ahmeti.

“Ky besim përveç profilit që i kanë dhënë secilit prej kandidatëve që kanë konkurruar në këtë garë ka qenë një besim për punën që kryetari Ahmeti e ka bërë në këto katër vite sa ishte mandati deri tani. Unë besoj se tash me këtë besim që na e kanë dhënë me dyfishimin e votës, me dyfishimin e asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje këto punë do të bëhen më të lehta. Dhe për informacion bashkë me subjektet tjera politike të cilat na kanë ndihmuar në këtë rrugëtimin tonë katër vjeçar për realizimin gati qind për qind të gjitha zotimet të cilat i kemi dhënë në vitin 2013 tani këtë e bëjmë 60 për qind të asamblesë komunale me të gjitha këto subjekte politike. Kjo është një gjë jashtëzakonisht e mirë sepse në katër vitet e ardhshme të mandatit kjo na e lehtëson që me këta krahë që i ka kërkuar Shpendi t’i realizojmë qind për qind edhe realizimet deri në vitin 2020”, tha ai.

Në mandatin e kaluar Lëvizja Vetëvendosje në Kuvendin Komunal ka qenë e përfaqësuar me 10 asamblistë./KP