Arsim & Kulturë

Profesor Kelmendi, model i kulturës dhe letërsisë shqiptare

Figura e profesorit, publicistit dhe gazetarit Ramiz Kelmendi është model i gazetarisë, kulturës dhe letërsisë shqiptare.

Kështu e vlerësuan profesorin e ndjerë krerët e shtetit, profesorë, akademikë dhe persona të jetës publike.

Në mbledhjen komemorative për profesorin e ndjerë Ramiz Kelmendi kanë marrë pjesë kryeministri Isa Mustafa, kryeparlamentari Kadri Veseli, ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, Imzot Don Lush Gjergji, akademikë, profesorë e familjarë.

Me këtë rast, kryeministri i Kosovës Isa Mustafa, tha se me vdekjen e Kelmendit, shteti i Kosovës  ka humbur një njeri të dijes dhe gazetarisë kulmore.

 

“Kosova ka humbur një njeri të dijes,  nj shkrimtar të dalluar, një simbol të gazetarisë kulmore të Kosovës. Kam pasur fatin që ta njoh personalisht Ramizin, duke pasur kënaqësinë që me të shkëmbejmë me të mendime dhe pikëpamje për shumë zhvillime në Kosovë.  Në faza të ndryshme dhe shumë vendimtare gjatë disa dekadave. Prandaj, e kam të vështirë të përshkruaj më pak fjalë, përshtypjet që mi ka lënë, mendimet dhe mënyrën brilante të shtjellimit të tyre. Ramiz Kelmendi do të mbahet mend si një intelektual .. , i cili ka dhënë kontribut të shquar në zhvillimet e gazetarisë, krijimtarisë letrare dhe fushave tjera të veprimtarisë në Kosovë”, tha Mustafa.

Kurse, kryetari i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli, tha se mbrëmë të gjithë ne humbëm një njeri më shpirt të madh.

Ai e cilësoi figurën e Kelmendit si një intelektual që sipas tij, me përkushtim jetësor i dha shumë vendit.

“Mbrëmë, të gjithë ne humbëm një njeri me shpirt të madh, humbëm një personalitet shumëdimensional të shoqërisë sonë. Një intelektual që me përkushtimin e tij jetësor i dha aq shumë vendit të tij…Shkrimtar, publicist, mësimdhënës,  gazetar, përkthyes i verave monumentale të letërsisë kombëtare. Ramiz Kelmendi bëri shumë që kultura jonë,  gjuha shqipe në Kosovë të gjen rrugët e komunikimit me vlerat më të larta të kulturës botërore. Në këtë mënyrë Ramiz Kelmendi dha shenjat e tij, në rrugën e nisur një shekull më parë nga rilindësit tanë, tha Veseli.

Në anën tjetër, Dom Lush Gjergji vlerësoi krijimtarinë kulturore  të Kelmendit duke thënë se e ka begatuar atë  me kuptim, shije, bukuri dhe mbi të gjitha me dashuri.

 

“Ramiz Kelmendi është emër që ka shënuar krijimtarinë, dhe kulturën shqiptare më se 60 vjet. Duke e begatuar atë më kuptim, domethënie, shije, bukuri, stil mbi të gjitha me dashuri që dallohet në çdo shkronjë, rresht, faqe apo botim. Ai pati parim dhe përcaktim jetësor këtë ‘Atdheu është gjuha vet’, mendoj dhe shkruaj shqip, gjuha është shpirti i një kombi. Ndërsa, Ramizi ynë ishte vërtet shpirt njeri, mu për këtë unë e kam quajtur kornisti kulturor dhe krijuesi burimor i shumë dekadave të fundit. Njeri, dorë e djathtë e prof. Anton Cettës dhe grupit të pajtimtarëve, sepse ai luftoi me tërë jetën dhe qenien e tij për ta mposhtur gjakmarrjen fatkeqe”, tha Gjergji.

Kurse, djali i të ndjerit, Migjen Kelmendi tha se të atin e tij ajo që e përkufizon dhe e përmbledh më së shumti është dashuria.

Sipas tij, ai nuk kursehej për t’iu thënë fjalë të mira e të dashura njerëzve.

 

“Më ra hise mu me i than disa fjalë  në emër të familjes, falënderimi për të gjithë ju. Unë për babën, kam shumëçka me thanë, për fat të keq i kam ngja edhe ai u kanë shumë i ndjeshëm si unë. Atë që dua me thanë me pak fjalë, unë vetëm dua ta potencoj një aspekt të tij, që e përkufizon dhe e përmbledh është dashuria. Ajo aftësia e tij me i dashtë njerëzit, me iu thanë fjalë të mira, nuk kursehej në fjalë të mira. Dinte me shpreh respektin, ndoshta që s’kishte ambicie politike, filloj me i pa njerëzit nga ana e mirë e tij. Edhe me i mbajt në mend  vetëm nga ana që ai e pëlqente tek njerëzit…Nëse diçka kishe me përkufizuar babën Ramiz Kelmendin është fjala dashuri”, tha Kelmendi.

Për angazhimin e Kelmendit në teatër foli drejtori i Teatrit Kombëtar,  Agim Sopi, i cili e vlerësoi këtë figurë sikur kritikun më të madh të teatrit modern të Kosovës.

Ai e cilësoi si ‘baba’ të skemës poetike.

Në fund të kësaj ceremonie, aktori i mirënjohur Çun Lajçi recitoi një poezi kushtuar jetës dhe veprës së publicistit të ndjerë Ramiz Kelmendi./KosovaPress