Aktuale

Prokurori Special: Aktakuzën për veteranët e kemi gati për t`ia dorëzuar Gjykatës

Prokurori i Prokurorisë Speciale Sylë Hoxha ka konfirmuar për Kallxo.com se sot gjatë ditës do ta dorëzojnë aktakuzën e plotësuar në rastin e njohur në publik si “Veteranët”.

“Sot gjatë ditës aktakuza e plotësuar sipas kërkesës së gjykatës në lidhje me veteranët do të dorëzohet në gjykatë”, ka deklaruar prokuroi Hoxha.

Sot është dita e fundit kur Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës duhet ta dorëzoje në Gjykatë aktakuzën e plotësuar të rastit të njohur për opinionin si “Veteranët”.

Aktakuza ishte kthyer mbrapa me 9 tetor 2018, pasi që Gjykata Themelore në Prishtinë, kishte kërkuar nga Prokuroria Speciale e Kosovës përmirësimin e aktakuzës, duke i lënë kështu 30 ditë kohë në dispozicion për plotësuar dhe ndryshuar.

Prokuroria Speciale pasi nuk kishte arritur ta dorëzoje brenda afatit kohor të përcaktuar në aktvendim, kishte kërkuar nga gjykatësja Nushe Kuka- Mekaj edhe 30 ditë kohë shtesë.

Në bazë të këtij afati shtesë, data 7 dhjetor 2018 është afati i fundit për dorëzimin e aktakuzës së plotësuar.

Me qëllim që të bëhej plotësimi dhe qartësimi i aktakuzës, gjykatësja Nushe Kuka- Mekaj, kishte marrë vendim për ta kthyer mbrapa aktakuzën.

Sipas vendimit, Prokuroria duhet të qartësoje se si e kanë kryer veprën penale të akuzuarit: Agim Çeku, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaga, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari.

Gjykata e ka të paqartë edhe numrin e personave të cilët po pretendohet se po përfitojnë në mënyrë të kundërligjshme, andaj kërkon nga Prokuroria Speciale që ta sqarojë numrin e përfituesve se a janë 20.238 apo 15.115 persona që marrin pensione nga buxheti i Kosovës.

Përpos këtyre, aktakuza përmban edhe kërkesën e Prokurorisë për pezullimin e pagesës së pensioneve për 20 mijë e 238 veteranë luftëtarë deri në përfundim të procedurës penale dhe sipas gjykatëses së rastit Nushe Kuka-Mekaj do të ishte më mirë që çështja e tillë të trajtohet në ndonjë procedurë tjetër shkaku i zvarritjes deri në pakufi të këtij procesi gjyqësor.

“Duke qenë se është fjala për një numër tejet të madh të personave, që e tejkalon shifrën prej 20.999, është plotësisht e qartë se vendosja lidhur me kërkesën pasurore juridike krahas procedurës penale do ta devalvonte çështjen penale si çështje të dorës së dytë dhe do ta zvarriste procedurën deri në pakufi, prandaj konsideroj që çështja e tillë të trajtohet në ndonjë procedurë tjetër me iniciativë të Prokurorit“, thuhet në vendimin e Gjykatës

the authorBurbuqe Metolli