Aktuale

Pronarët e banesave nuk ua vazhdojnë kontratat dy familjeve në Vushtrri

Komuna e Vushtrrisë që nga janari i viti 2016-të deri me 31 dhjetor 2016-të i ka paguar qiranë familjes tetë anëtarëshe të Gani Bunjakut nga Vushtrria. Por që kontrata e bërë në mes Komunës së Vushtrrisë dhe pronarit të banesës Lumni Zhegrova ka mbaruar në fund të dhjetorit të vitit të kaluar, ku me kërkesë të pronarit të banesës nuk është vazhduar më ajo kontratë.

Përveç kësaj familje, Komuna e Vushtrrisë i ka paguar qiranë për gjashtë vite edhe familjes katër anëtarëshe të Merita Behramit, e që edhe kësaj familje nuk i është vazhduar kontrata nga pronari i banesës.

Komuna e Vushtrrisë ka kërkuar nga të dy familjet që të gjejnë diku tjetër banesa apo shtëpi në vlerë prej 100 euro qira, e të cilën do ta vazhdojë ta paguaj komuna, por që këto dy familje thonë se nuk kanë arritur të gjejnë banesa apo shtëpi për banim.

Në Komunë nuk i kanë treguar arsyet e mosvazhdimit të kontratës nga ana e pronarëve, ndërsa këta të fundit kanë refuzuar të flasin për këtë çështje.

Gani Bunjaku, i cili jeton së bashku me tetë anëtarë në këtë banesë, thotë se që 2 vite e gjysmë komuna u ka paguar qiranë e banesës. Ndërsa, nuk ka marrë arsye se pse nuk i është vazhduar kontrata nga pronari i banesës.

“Këtu jemi duke jetuar që 2 vite e gjysmë, do të thotë komuna mu më ka thënë gjeje ti një banesë na ta paguajmë qiranë edhe unë kam kontaktuar me këtë personin ma ka liruar ketë banesë që tre muaj ky e ka shkëputur kontratën me komunën, arsyet nuk po i di pse. Në komunë kam shkuar vazhdimisht me lyp ndihmë për shtëpi më kanë premtuar gjithë që të ndihmojmë, tash drejtori i drejtorisë Abdullah Klinaku më ka thënë shko ku të duash bo çka të duash se ne nuk mundemi me të ndihmua. Aty nuk e di unë për çka veç pronari i banesës më ka thënë po më bëjnë problem me ju mbajte juve këtu. Arsyet nuk i di, i din ata më mirë. Komuna më ka thënë shko këqyr diku gjeje ti na të paguajnë qiranë, po me tetë anëtarë nuk po donë me ma lëshua kurrkush shtëpinë”, tha ai.

Për më tepër Bunjaku thotë se ka tokë të vetën në fshatin Pestovë të Vushtrrisë, ku edhe ka kërkuar nga komuna e Vushtrrisë që ti ndihmoj me ndërtimin e shtëpisë, por që edhe kjo kërkesë e tij është refuzuar.

Si zgjidhje kryefamiljari Gani Bunjaku e sheh edhe largimin jaashtë Kosovës nëse nuk i ofrohet zgjidhje nga Komuna.

“Unë veç me lëshua Kosovën krejt edhe e kam vendosur nëse nuk më bënë zgjidhje komuna unë nuk shkoj me lyp më kurrkund, ja kom me marrë një shator me qit në tokë temin ja kom me u nis për Shqipëri me lyp azil, se në Kosovë, këtu në Vushtrri nuk më ka mbete vend”, tha ai.

Kurse, familjes katër anëtarëshe të Merita Behrami, komuna e Vushtrrisë i ka paguar qiranë për gjashtë vite me radhe, ku kontrata e fundit u ka skaduar me 31 dhjetor të vitit të kaluar. Edhe kjo familje është njoftuar me vendimin për shkëputjen e kontratës por që nuk kanë marrë arsyet se pse ka ndodh kjo shkëputje.

Ndërsa, Komuna u ka kërkuar që të gjejnë një banës tjerët dhe të vazhdojnë të u paguajnë qiranë, por që kryefamiljarja Merita Behrami, thotë se askush nuk u jep banesë kur e dinë që duhet të bëjnë kontratë me komunën e Vushtrrisë.

“Në këtë banesë jemi që 6 vite, Komuna e ka bërë pagesën rregullisht, prej natës së vitit të ri kontrata ka skaduar ma nuk ka paguar kurrgjë. Pronari na ka lanë me vetë dëshire me qëndrua deri tash deri të bëjnë një zgjidhje por nuk kemi mund të bëjmë asgjë. Kemi lyp shumë, çdo ditë unë dal lypi banesë, por nuk ka sen edhe kur po tregojmë na që me komunë nuk po të merr kurrkush në dorë. Çdo ditë pronari vjen këtu se duhet me dal, para dy dite i ka pru policinë brenda edhe sot ka thënë mos të ju gjejë më këtu”, tha ajo.

KosovaPress ka provuar të kontaktoj me pronarin e banesave Lumni Zhegrova lidhur me arsyen se pse ka vendosur të shkëpus kontratën me Komunën e Vushtrrisë, por që nuk ka qenë i qasshëm.

Kurse, zëdhënësi i Komunës së Vushtrrisë, Shemsedin Preteni, përmes telefonit i ka thënë KosovaPress-it, se me kërkesë të pronarit të banesës është shkëputur kontrata.

“Me kërkesë të pronarit të banesës është shkëputur kontrata, Komuna i ka njoftuar banorët për këtë vendim dhe po ashtu ka kërkuar nga ato familje që të gjejnë diku tjetër një banesë apo shtëpi dhe Komuna e Vushtrrisë do të vazhdoj qiranë në vlerë deri në 100 euro”, tha ai./kp