Shëndetësi

Prostata e rritur: Simptomat dhe si shërohet

Prostata është gjëndër gjenitale e mashkullit, e cila gjendet midis fshikëzës urinare dhe zorrës së drejtë, ndërsa e rrethon kanali i urinës, i cili e përcjell urinën nga fshikëza nëpërmjet penisit.

Prostata normale e mashkullit të rritur peshon 20 gramë, ndërkaq përmasa është tri centimetra e gjysmë.

Këtë madhësi prostata e mban deri në mesin e viteve të tridhjeta të jetës, kur për shkak të shumëzimit të qelizave sërish fillon të rritet, gjë që quhet adenomë, hiperplazi beninje apo rritje beninje e prostatës, transmeton Telegrafi.

Cilat janë simptomat e prostatës së zmadhuar?

Meshkujt të cilët e kanë këtë problem kanë urinim të shpeshtë disa herë gjatë natës. Probleme tjera që paraqiten si pasojë e prostatës së zmadhuar janë: kur urinoni mund t’ju nevojitet më shumë kohë deri sa të filloni me zbrazjen, gjegjësisht currila e parë e urinës vjen me vonesë; currila mund të jetë më e dobët nga e zakonshmja; në fund, edhe pse e dini se keni përfunduar me zbrazjen, mund të keni ndjenjë se ju ka mbetur sasi e caktuar e urinës në fshikëzën e urinës; me kalimin e kohës prostata e zmadhuar mund të sjellë deri te pamundësia që të urinoni.

Kjo gjendje është rezultat i bllokimit të tërësishëm të uretrës nga ana e prostatës së zmadhuar ose inflamacion i fshikëzës së urinës dhe seriozisht mund t’i dëmtojë veshkat.

Te 90% të popullatës mashkullore, simptomat e para të prostatës së zmadhuar paraqiten pas moshës 40 vjeçe. Shkaqet nuk janë të njohura. Supozohet se hormonet siç janë testosteroni, dihidratestosteroni (DHT) dhe estrogjeni mund të luajnë rol të madh.

Është zmadhimi i prostatës një lloj kanceri?

Kanceri i prostatës dhe hiperplazia (zmadhimi) i prostatës janë sëmundje të ndryshme. Trajtimi i tyre është shumë i ndryshëm, ndaj duhet të bëhet ndarja nga njëra-tjetra e këtyre dy sëmundjeve.

Për ndarjen e këtyre sëmundjeve përdoret analiza e PSA dhe ekzaminimi me gisht (rektal).

Vetëndihma në rastin e prostatës së rritur

– Para se të flini gjumë boshatiseni fshikëzën e urinës
– Pini rreth 8-10 gota ujë në ditë, por jo 2-3 orë para se të flini gjumë
– Kujdes me ilaçet antihistaminike që hapin hundët, mushkëritë dhe gjendjen gripale, sepse mund të kenë efekte anësore si urinim me vështirësi
– Mundohuni të mbani larg stresin
– Rrini larg pijeve me kafeinë, alkool, kripë të tepërme dhe ushqime me acide të tepruara
– Të paktën një herë në vit bëni një kontroll urologjik te urologu për prostatë

Masazhi eliminon simptomat

Masazhi përmirëson qarkullimin e gjakut, andaj mund pjesërisht të eliminojë simptomat.

Masazhi bëhet me gisht në rektum. Mund të preket në rreth 3 deri 5 cm nga hyrja, me kusht që gishti duhet të jetë i drejtuar ndaj qeses së ujit.

Kur të preket prostata, është e nevojshme që me lëvizje rrethore t’i bëni lehtë masazh 5 deri në 10 minuta duke përdorur lubrifikant.

Megjithatë, shërimi i prostatës së rritur fillon me ndryshimin e shprehive jetësore dhe, para së gjithash, të shprehive ushqyese…

Ushtrimet e Kegelit

Ushtrimet e Kegelit, apo ushtrimet për forcimin e komblikut, mund të ndihmojnë të tendosen apo të shtrëngohen muskujt specifikë të komblikut, i cili shërben për kontrollin e urinimit.

Ushtrimin bëjeni ashtu që, pasi të keni zbrazur fshikëzën, të shtriheni në dysheme me gjunjë të lakuar.

Tendosni muskujt e komblikut, ngrini vithet nga dyshemeja dhe mbani ashtu 5-7 sekonda.

Përsëritni 10 deri 20 ushtrime, 3 apo 4 herë çdo ditë.

Ushtrime aerobi

Pasiviteti sjell trashësinë, gjë që është njëri ndër faktorët e rrezikut të prostatës së rritur. Madje edhe sasia e vogël e ushtrimeve aerobi si p.sh.: shëtitja, vrapimi, ngritja e peshave, loja e tenisit apo notimi, do të përmirësojnë kondicionin tuaj dhe forcën trupore dhe po ashtu vëllimin e muskujve.

Jeta e tillë aktive mundtë ndihmojë në zvogëlimin e problemeve urinare të shkaktuara nga prostata e rritur, por mundet edhe në disa raste të pengojë këtë problem.

Mjaftojnë 30 minuta aktivitet ditor të ushtrimeve çdo ditë.

Dushi i ngrohtë – i ftohtë

Dushi i ngrohtë ka cilësi qetësuese për problemet e prostatës së rritur. Ai do të ndihmojë në lirimin e muskujve të komblikut, do të zvogëlojë ënjtjen dhe do të jetë i përshtatshëm për shërim të mëtutjeshëm.

Nga ana tjetër, dushi i ftohtë do të lehtësojë dhembjen.

Pra, bëni dush të ngrohtë me disa pika vaji eterik dhe kur të përfundoni dushin shpëlahuni me ujë të ftohtë.

Uthulla e mollës

Uthulla e pafiltruar e mollës ka cilësi të mira të cilat ndihmojnë në zvogëlimin e ënjtjes së gjëndrës së prostatës.

Uthulla gjithashtu mund të ndihmojë me rastin e humbjes së peshës trupore, por ndihmon edhe në pengimin e komplikimeve të tjera të prostatës.

Përzieni 1 deri në 2 lugë uthull molle dhe 1 lugë mjaltë në një gotë ujë të ngrohtë. Pini dy herë në ditë. /Telegrafi/

the authorE B