Rajon & Botë

Protesta kundër reformave në gjyqësor në Poloni

Mijëra persona kanë dalë në rrugët e Varshavës për të protestuar kundër reformave në gjyqësor.
Senati i Polonisë ka miratuar dy projektligje për gjyqësorin, të cilat opozita i konsideron tentim nga partia konservatore në pushtet për minimin e ndarjes së pushteteve, transmeton Express.

Protestuesit kanë marshuar pranë pallatit presidencial duke brohorit liri dhe barazi, si dhe i kanë kërkuar presidentit të Polonisë, Andrzej Duda, të përdorë veton ndaj këtyre projektligjeve.

Protestat janë organizuar nga partitë opozitare të krahut të majtë dhe disa qytetarë.

Projektligji i parë që pret miratimin e presidentit Duda, përcakton se parlamenti, që tani kontrollohet nga partia e krahut të djathtë, Ligji dhe Drejtësia (PiS), do të zgjedh anëtarët e Këshillit Kombëtar të Gjyqësisë.

Roli i këtij këshilli është mbrojtja e pavarësisë së gjykatës.

Projektligji i dytë i jep autoritetin ministrit të Drejtësisë, të emërojë gjyqtarët e Gjykatës Supreme.

Sipas po këtij projektligji, gjyqtarët e Gjykatës Supreme mund të detyrohen të dalin në pension, përveç atyre që i zgjedh ministri për të qëndruar.

Disa anëtarë të Parlamentit Evropian kanë thënë se këto projektligje janë pengesë për pavarësi të gjyqësorit në Poloni./Express/