Aktuale

Protestës së PD-së i bashkohen edhe shqiptarë nga Lugina e Preshevës, Basha: Amerika është me ne deri në fitore

Protestës së opozitës në bulevard sot i ishin bashkuar edhe miq nga Presheva me në krye Ragmi Mustafën.

Gjatë fjalës së tij kreu i PD-së, Lulzim Basha tha se kjo është një lëvizje kombëtare dhe nga afati i kësaj beteje varen fatet dhe fitoret e betejave të shqiptarëve kudo që ata jetojnë. Alternativë tjetër nuk ka. një Shqipëri e dobët e nëpërkëmbur ku një klik pushtetarësh të korruptuar mbajnë peng të sotmen dhe të ardhëm e vendit është garancia më e mirë për armiqtë e kombit shqiptar”, tha ai duke kujtuar edhe disa nga premtimet e Ramës të bëra për shqiptarët e Luginës së Preshevës.

“Kjo është një lëvizje kombëtare. Prandaj Amerika është me ne deri në fitore. E keni dëgjuar që këto dy javët e fundit e ka zënë temrpeatura e lartë dhe ethet. Fillon dhe llomotit, flet për armiqtë e jashtëm të cilët nuk ia duan të mirën Shqipërisë, të cilët sipas tij kanë bërë konspiracion me këtë çadër lirie. Po kundër kujt? Sot nga ky shesh dua t’i them Edi Ramës dhe mercenarëve të tij që paguhen me paratë e drogës dhe mafias shqiptare, mercenarëve të tij shqiptarë dhe të huaj, zyrtarë të shkarkuar për korrupsion nga qeveritë e tyre që me paratë e drogës lehin kundër zgjedhjeve të lira që Shqipëria ka vetëm një armik dhe kjo është tirania e krimit, korrupsionit, drogës dhe ne jemi të vendosur ta mundim, ta shporrim këtë tirani.

Armiqtë e shqiptarëve janë oligarkia, krimi i organizuar dhe narkomafia e cila po investon rëndë për të deformuar të vërtetat dhe për ti treguar botës realitetin e bandave dhe krimit të organizuar. Kanë dështuar dhe po dështojnë, dielli i pranverës po djeg dhe përvëlon gënjeshtrat e Ramës dhe konsulentëve të tij të paguar. SHBA e di të vërtetën, Perëndimi e di të vërtetën, e vërteta e dhimbshme e një Shqipërie që qeveriset nga një kryeministër që është i kapur nga krimi”, tha Basha, duke përforcuar denoncimin që bëri dy ditë më parë në Zërin e Amerikës se “me investimin edhe të parave të narko-mafias shqiptare, është investuar fuqishëm në dizinformimin dhe keqinformimin, si të publikut ndërkombëtar, ashtu edhe të qendrave të vendim-marrjes politike.”

Po ashtu, ai vërejti se e kishte fjalën “për lobistët e paguar me paratë e narko-mafias shqiptare, të cilët veprojnë në Uashington, në Bruksel, në Berlin, në Londër për të fshehur të vërtetat e hidhura të Shqipërisë dhe për të keqinformuar aleatët tanë. Për fat të mire një nga meritat e mëdha të protestës së 18 shkurtit që vazhdon, është që është çjerrur kjo vello e paguar me paratë e drogës dhe narko-mafias shqiptare dhe qendrat kryesore të politik-bërjes shohin me tronditje të mëdha se si, nën qeverisjen e Edi Ramës, Shqipëria është shndërruar në një bazë kryesore të furnizimit të Evropës, jo vetëm me marijuanë, por edhe me heroinë dhe kokainë, se si shteti ligjor është zhbërë, bashkë me garancitë për liritë dhe të drejtat e njeriut”.