Aktuale

Protestohet për Astrit Deharin, para Kuvendit të Kosovës

Kuvendi i Kosovës do të mbajë nga ora 10:00 seancë të jashtëzakonshme për aktivistin politik Astrit Deharin, i cili vdiq në rrethana të dyshimta në burgun e Prizrenit.

Me këtë rast, grupi i shoqërisë civile që mblodhi edhe nënshkrimet në adresë të Kuvendit për një seancë të jashtëzakonshme për Astrit Deharin.

“Protesta e tretë e thirrur nga shoqëria civile ka për qëllim vënien në vend të drejtësisë dhe zbardhjes së rastit në fjalë, ju ftojmë nesër (ditë e marte) nga ora 10:00 të bashkangjiteni për ta përcjellë seancën parlamentare para Qeverisë duke kërkuar #DrejtësiPërAstritin”, thuhet në njoftimin e shoqërisë civile.

Përndryshe, kërkesat e shoqërisë civile janë:

Përgjegjësi për reagimin/përgënjeshtrimin e deklaratës të Kryetarit të Kuvendit Kadri Veseli, i cili thotë se peticioni me nënshkrimet e qytetarëve “Drejtësi për Astritin’, nuk adresohen për kryesinë dhe mbajtjen e një seance parlamentare.

1. Hetim të pavarur dhe transparent për rastin sa më parë.

2. Dorëheqjen e udhëheqësve të Ministrisë së Drejtësisë dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme për mosgatishmërinë morale e ligjore për të kërkuar dhe dhënë përgjegjësi.

3. Fillimin e menjëhershëm të ndjekjes penale të përgjegjësve që dështuan të garantojnë sigurinë e jetës së Astritit në institucionet e shtetit dhe shkarkimin e zyrtarëve përgjegjës në tërë zinxhirin hierarkik për mos trajtimin dinjitoz të Astritit në qendrën e paraburgimit edhe pas vdekjes së tij.