Aktuale

PSD mohon se Shpend Ahmeti do të jetë zëvendës i Fatmir Limajt në dialog

Partia Socialdemokrate ka reaguar pas lajmit se kryetari i kësaj partie, Shpend Ahmeti do të bëhet pjesë e grupit negociator në dialogun me Serbinë.

Zëdhënsja e PSD’së, Natyra Kuçi, me anë të një postimi në Facebook ka mohuar se Ahmeti do të jetë zëvendës i Fatmir Limajt, të cilin Qeveria e ka propozuar kryenegociator të një ekipi gjithëpërfshirës.

“Lajmi i sotëm që po qarkullon nëpër media të caktuara, se “kryetari i Partisë Socialdemokrahhte, Shpend Ahmeti do të bëhet pjesë e ekipit negociator të Kosovës si zëvëndës i Fatmir Limajt”, nuk është i saktë”, ka shkruar Kuçi, transmeton Gazeta Express.

Ajo ka njoftuar se Partia Socialdemokrate nuk ka asnjë marrëveshje me asnjë subjekt politik parlamentar, lidhur me çështjen e dialogut.

“Dialogu me Serbinë nuk mund të jetë vullnet i një njeriut. Përfshirja e Kuvendit të Republikës dhe e partive politike është e domosdoshme që Kosova të ketë përfaqësim dinjitoz dhe të mirëpërgatitur, në dialogun me Serbinë”, ka shtuar zëdhënësja e PSD’së.

“Koalicioni qeverisës duhet ta krijojë hapësirën e duhur përfaqësuese e vendimmarrëse për opozitën dhe shoqërinë civile. Secili subjekt politik duhet të sillet me përgjegjësinë që kërkohet në këtë proces të rëndësishëm. Dhe ta merr përgjegjësinë për vendimet dhe veprimet politike”. /Express/

the authorBurbuqe Metolli