Aktuale

PZAP-ja shqipton qindra mijëra euro gjoba për subjektet politike

Kosova ditën e diel i është nënshtruar zgjedhjeve parlamentare, ku qytetarët kanë dhënë votën për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre në Kuvendin e Kosovës.

Në zgjedhjet e 6 tetorit garuan 25 parti politike, 4 koalicione dhe 1 kandidat i pavarur.

KQZ prej mbrëmë ka nisur publikimin e rezultateve, të cilat kanë nxjerrë si parti të parë Lëvizjen Vetëvendosje, pasuar nga LDK-ja, mandej PDK, AAK dhe Nisma.

Por, subjektet pjesëmarrëse në zgjedhje, nuk shpëtuan pa dënime të Panelit për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), i cili ka shqiptuar gjoba prej qindra mijëra euro për shkeljet gjatë fushatës dhe në ditën e zgjedhjeve.

PZAP vetëm dje ka pranuar 33 ankesa, të cilat ajo tashmë është duke i shqyrtuar.

Kryesuesi i Sekretariatit të PZAP-së, Mulë Desku ka thënë se përgjatë këtyre ditëve fushate dhe ditës së heshtjes zgjedhore, janë shqiptuar gjithsej 240 mijë e 850 euro gjoba ndaj partive politike.

Ai thotë se këto gjoba janë shqiptuar si rezultat i shkeljes së rregullave zgjedhore.

“Vetëm në ditën e zgjedhjeve PZAP-i ka pranuar 33 ankesa që kanë të bëjnë kryesisht me thyerjen e heshtjes zgjedhore. Gjobat e shqiptuara nga PZAP-i, për shkak të shkeljes së Kodit të Mirësjelljes gjatë fushatës zgjedhore, të Zgjedhjeve të Parakohshme për Kuvend të Kosovës të 6 tetorit 2019”, ka thënë Desku për FaktePlus.

Ashtu si e parasheh ligji, PZAP ka monitoruar subjektet politike dhe kandidatët për deputetë që kanë garuar për zgjedhjet e parakohshme të 6 tetorit.

Më saktësisht janë dhjetë subjekte politike të cilat gjatë këtyre ditëve kanë shkelur rregullat e fushatës zgjedhore, e që për këto shkelje janë ndëshkuar rëndë nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtesa, shkruan FaktePlus.

Është Partia Demokratike e Kosovës e cila për këto ditë është dënuar me 71 mijë e 600 euro e pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës me 58 mijë euro.

Në listën e PZAP-së është edhe Lista Serbe e dënuar me 36 mijë euro. Pa dënime nuk ka shpëtuar as koalicioni AAK-PSD e cila është dënuar me 42 mijë e 900 euro dhe NISMA-AKR-PD me 23 mijë e 500 euro.

Partia PREG nga PZAP është dënuar me 250 euro, PLE me 1 mijë e 100 euro, VAKAT po ashtu është dënuar me 1 mijë e 100 euro.

Ndërkaq SLS është dënuar me 5 mijë e 100 euro. Në anën tjetër edhe kandidati Lendrit Qeli është dënuar me 1 mijë e 200 euro.

Përdorimi i fëmijëve në fushatë zgjedhore, po konsiderohet si gabimi më i shpeshtë që po bëhet nga subjektet garuese të zgjedhjeve të 6 tetori.

Si shkelje tjetër po konsiderohet, vendosja e posterëve në hapësira publike, presioni ndaj votuesve, shfrytëzimi i pozitës publike me qëllim të përfitimit të votave, përdorimi i gjuhës së urrejtjes, vendosja e tavolinës me postera të kandidatëve në rrugë publike dhe shpërndarja e videove nëpër rrjetet sociale me fëmijë.

Ndryshe, gjobat e paguara nga partitë politike, shkojnë drejtpërdrejt në buxhetin e Republikës së Kosovës./FaktePlus