Aktuale

Qeveria, gati ta përcjellë Demarkacionin në Kuvend

Mungesa e numrave në Kuvend për ratifikimin e Marrëveshjes së Demarkacionit ka bërë që kryeministri Isa Mustafa t’i kërkojë Bashkimit Evropian modifikimin e këtij kriteri të domosdoshëm për liberalizimin e vizave.

Kryeministri ka thënë të ketë kërkuar nga vendet anëtare të BE-së që kosovarët fillimisht të lëvizin lirshëm e më pas ta zgjidhin çështjen e demarkacionit, shkruan sot Koha Ditore.

Por zyrtarë të Brukselit, në vazhdimësi e kanë bërë të qartë se kriteri i demarkacionit, si dhe lufta efikase kundër krimit dhe korrupsionit, janë kritere të pakalueshme, pa përmbushjen e të cilave Kosova nuk do të mundë të futet në zonën Schengen.

Me gjithë paralajmërimet, Qeveria deri më tani është rezervuar që Marrëveshjen ta dërgojë në Kuvend. Për kalimin e saj duhen mbi 80 vota të deputetëve. Edhe pas kthimit të Listës Serbe, partnerët e koalicionit aktualisht nuk i kanë numrat, për shkak se deputetë brenda PDK-së dhe LDK-së kanë paralajmëruar votë kundër.