Aktuale

Qeveria: Lista serbe nuk do të mund ta kushtëzoj ligjin për ushtrinë

Pas kthimit në institucionet e shtetit të Kosovës përfaqësuesit e listës serbe vazhdojnë të bëjnë trysni për hartimin e statutit, me të cilin i hapet rrugë formimin të Bashkësisë së Komunave Serbe, ndërkohë që siç është thënë ata mund të kushtëzojnë disa nga kompetencat ekzekutive për brenda asociacionit në këmbim të votës për ligjin për ushtrinë në Kuvendin e Kosovës.

Ndërkaq në lidhje me këtë kushtëzim të mundshëm, Zëvendësministri në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal Bajram Gecaj në një prononcim për Indeksonline ka mohuar se mund të ndodh një gjë e tillë për shkak se Asociacioni nuk do të ketë më shumë kompetenca se asociacioni i Komunave tjera, dhe jo karakter ekzekutiv apo legjislativ.

Edhe Ministrja për dialog në Qeverinë e Kosovës Edita Tahiri i ka thënë Indeksonline se lista serbe nuk mund të bëjë kurrfarë kushtëzimi, duke përfshirë as votën për ligjin për Ushtrinë e Kosovës.

“Serbet nuk mund absolutisht të kushtëzojnë sepse vendimi i gjykatës kushtetuese për asociacionin do të respektohet plotësisht. Kushtetuta është akti më i lartë i shtetit, të cilit i detyrohemi të gjithë pa dallim”, ka thënë Tahiri. (Indeksonline)