Aktuale

Qeveria ndau edhe 152 mijë euro për Komisionin për Shënjimin e Kufirit

Punën e parë që e kishte bërë Kryeministri Ramush Haradinaj, qysh në mbledhjen e parë të Qeverisë, ishte shkarkimi i anëtarëve të Komisionit Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror, i cili asokohe udhëhiqej nga Murat Meha.
Kryeministri emëroi anëtarët e rinj të këtij Komisioni, të cilit i printe gjeografi Shpejtim Bulliqi. Për ta filluar detyrën e tyre për të cilën ishin ngarkuar, Kryeministri në mbledhjen e Qeverisë të 13 tetorit të vitit 2017, ndau 49 mijë euro.

Kjo shifër u proklamua vazhdimisht në publik si shumë e parave që do t’i nevojitej Komisionit për ta kryer punën e vet për përmirësimin e defekteve eventuale të anëtarëve të shkarkuar nga Kryeministri.

Megjithatë, kryetari i Komisionit, Shpejtim Bulliqi, kishte thënë se nga këto mjete janë shpenzuar vetëm 18 përqind.

“Qeveria ka ndarë 49 mijë e 40 euro. 8 mijë e 998 euro janë shpenzuar nga tërë këto mjete d.m.th 18% e tyre, dhe këtë shumë shpenzimesh e ka rritur vizita që e kemi bërë në Slloveni dhe Kroaci”, kishte thënë Bulliqi.

Por, asnjëherë nuk u bë e madhe se përse Qeveria pati nevojë të ndajë edhe një shumë shtesë për këtë Komision.

Në mbledhjen e Qeverisë së 20 shkurtit 2018, Kryeministri ndau hiq më pak se 152 mijë e 619 euro për Komisionin. Kjo shumë ishte ndarë me kërkesë të vetë Komisionit.

Këto mjete u ndanë vetëm katër ditë para se Komisioni Shtetëror t’ia dorëzonte Kryeministrit raportin e punës për Kufirin Shtetëror me Malin e Zi.

Në vendim nuk jepet ndonjë arsyetim për këto para. Ky Komision vetëm katër ditë më vonë pasi janë ndarë këto mjete, ia dorëzoi Kryeministrit raportin e punës së vet lidhur me Demarkacionin mes Kosovës dhe Malit të Zi.

Por Qeveria e arsyeton ndarjen e këtyre mjeteve, duke thënë se ato do të shërbejnë për të gjitha punët tjera të Komisionit.

“Paratë janë ndarë me kërkesë të Komisionit për realizimin e detyrave dhe përgjegjësive që i janë dhënë nga Qeveria e Kosovës. Nëse teprojnë mjete nga ky vendim ato sigurisht që do të kthehen në buxhet, siç ka ndodhur në rastin e parë”, thuhet në përgjigjen e Qeverisë, shkruan Insajderi.

Qeveria ka numëruar një varg detyrash me të cilat është ngarkuar Komisioni, si arsyetim për mjetet e ndara.

“Komisioni ka për detyrë që të përgatit dhe të arkivoj dokumentacione për gjithë kufirin shtetëror të Republikës së Kosovës. Në të gjitha detyrat e komisionit janë të përfshira përgatitjet, përgjegjësitë, obligimet, vështirësitë dhe rreziqet fizike. Komisioni është i ngarkuar me detyrat në përcaktimin e kufijve të Republikës së Kosovës për të gjitha fazat e punime në demarkimin, pranim dhe në mirëmbajtje të tyre”.

Sipas Qeverisë, Komisioni duhet të kenë buxhet efektiv, për shkak se, për nevoja të Komisionit mund të angazhohen edhe ekspertë tjerë.

“Realizimi i detyrave në këtë lëmi kërkon angazhim profesional dhe ekipor, por njëkohësisht edhe buxhet efektiv. Për nevoja të Komisionit, mund të angazhohen ekspert të fushave të ndryshme, konsulent dhe staf mbështetës varësisht nga nevojat e Komisionit”, thuhet më tej aty.