Aktuale

Qeveria s’ka vendosur a do të vazhdojë të jetë pjesë e marrëveshjes së CEFTA-s

Kryeministri Ramush Haradinaj, tha se ende nuk ka marrë vendim a do të vazhdojë Kosova të jetë pjesë e marrëveshjes së CEFTA-s.

Kosova u bë anëtare fuqiplotë e CEFTA-s në korrik 2007, tetë muaj pas nënshkrimit të marrëveshjes për anëtarësim. Marrëveshja për anëtarësim u nënshkrua nga UNMIK-u në emër të Kosovës. Edhe më tutje Kosova përfaqësohet në CEFTA përmes UNMIK-ut.

Më 2008 institucionet kosovare ndërruan edhe vulat doganore, nga Doganat e UNMIK-ut në Doganat e Kosovës. Mirëpo ky akt i vendosjes së simboleve të reja, nuk u përcoll edhe me veprime tjera konkrete, siç është insistimi për tu përfaqësuar si shtet i pavarur dhe jo përmes UNMIK-ut.Ndërrimi i vulave shërbeu si shkak për Serbinë dhe Bosnjë për të bllokuar eksportin e mallrave kosovare në këto dy shtete apo për të përdorur territorin e tyre për mallrat transit. Që nga 4 dhjetori 2008, kompanitë kosovare nuk mund të eksportojnë në këto dy vende. Për të mbajtur qëndrueshmërinë e tyre, kompanitë u detyruan që të gjejnë rrugë alternative.

Me qëllim të lehtësimit të procedurave për tu anëtarësuar në Bashkimin Evropian (BE), vendet e Evropës Qendrore, Polonia, Hungaria, Republika Çeke dhe Sllovakia, më 1992, formuan Marrëveshjen për Tregti të Lirë në Evropën Qendrore (CEFTA).Marrëveshja e CEFTA-s u bazua në konceptin e ekonomisë së tregut, pasi që shtetet anëtare mendonin se zhvillimi i mëtutjeshëm ekonomik mund të arrihet vetëm përmes promovimit të ekonomisë së tregut dhe konkurrencës së shëndoshë.