Rajon & Botë

Qindra punëtorë të huaj po vdesin nga vapa në Katar

Gazeta britanike, The Guardian, ka zbuluar se shumë punëtorë të huaj po vdesin në Katar çdo vit për shkak të temperaturave të larta.

Këtë verë, qindra mijëra punëtorë të ardhur nga vendet e tjera kanë qenë të detyruar të punojnë deri 10 orë në ditë në temperature që kanë shkuar deri në 45 gradë para organizimit të kampionatit botëror në futboll, i cili do të zhvillohet në këtë shtet në vitin 2022.

Autoritetet e Katarit, ngjashëm si shtetet tjera të Gjirit Persik, kanë thënë se po i mbrojnë punëtorët nga vapa përmes ndalimit të punës në mjedis të hapur dhe pa hije nga ora 11 e 30 deri në orën 3, nga qershori në gusht.

Sidoqoftë, hulumtimi i gazetës tregon se këto masa nuk po i siguron punëtorët nga problemet shëndetësore që ndërlidhen me vapën e madhe. Edhe puna jashtë orarit të ndaluar përcillet me temperatura të larta, për të cilat kardiologët thonë se po sjellin numër të lartë të viktimave për çdo vit.

Ndryshe, vapa e madhe ndikon keq në sistemin kardiovaskular të njeriut. Sipas studimeve më të reja, vapa e vazhdueshme mund të shkaktojë sulm në zemër dhe probleme të tjera serioze, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.