Aktuale

Rama: PD është gati të na ndajë për së gjalli nga Evropa

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot pas seancës për ngritjen e dy komisioneve ad hoc, me 12 dhe 6 anëtarë, që do të përzgjedhin kandidatët për institucionet e rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve shqiptarë dhe sipas tij mungesa e opozitës është një njollë turpi, që partia e cila lindi nga thirrja “Shqipërinë si gjithë Evropa”, po i vë vetes, ose që po përpiqet t’ia vërë Shqipërisë.

Rama u shpreh se, vonesa e nisjes së procesit të vetingut ngadalëson rrugën e Shqipërisë drejt integrimit në BE. Rama e cilësoi reformën në drejtësi si një aspiratë çerkshekullore të popullit shqiptar për ta çliruar drejtësinë nga kthetrat e korrupsionit.

“Një gjë është shumë e qartë që moskryerja e procesit të vetingut cenon rëndë procesin e interesimit të Shqipërisë në BE, por fatkeqësisht PD është gati të na ndajë edhe njëherë për së gjalli nga Evropa ku duam të bëjmë pjesë vetëm e vetëm për të mbrojtur ata që kanë kusure për të larë”, tha Rama.

“Ne vazhduam të çojmë përpara nga ana jonë një proces që është pa kthim. Vetingu mund të vonohet, por spastrimi i pallatit të drejtësisë nuk mund të ndalohet. Vendosja e sistemit të drejtësisë në funksion të qytetarëve nuk ndalohet dot”, tha Rama.