Aktuale

Rama thirrje demokratëve: Bashkohuni me ne në 18 qershor

Kryeministri Edi Rama deklaroi të shtunën se Partia Demokratike është katandisur sot në një fantazëm të jetës politike, në arratinë e saj prej zgjedhjeve për parlamentin e ri.

Duke komentuar protestën e sotme të opozitës, kryeministri Rama u ndal te pamja gjysmë e zbrazët e bulevardit, që sipas tij ishte trishtuese.

“Të gjithë demokratëve të zakonshëm, që e duan Shqipërinë njësoj si unë, si ne të tjerët, që s’jemi votues të Partisë Demokratike, kam dëshirë t’u them vëllazërisht sot: Mos u ligshtoni! Pamja gjysmë e zbrazët e bulevardit sot, më trishtoi edhe mua, jo më ju! Më trishtoi sepse, pavarësisht se jam kundërshtar natyral i PD-së, nuk ndjehem aspak mirë që një parti e madhe shqiptare, është katandisur sot në një fantazëm të jetës sonë politike, në arratinë e saj prej zgjedhjeve për parlamentin e ri. Më trishtoi sepse, pavarësisht se as e kam votuar e as kam për ta votuar ndonjëherë PD-në, nuk ndjehem aspak mirë që votuesit e saj kanë mbetur sot jetimë të një republike fantazëm. E cila u premtohet, si oazi i një jete ku rafsha mos u vrafsha, ku të gjitha problemet e kësaj toke, janë të zgjidhura si me magji. Më trishtoi sepse, nuk arrij dot as ta imagjinoj, se si një grusht njerëzish, më saktë dy burra, njëri i tmerruar nga drejtësia e tjetri i lemerisur nga zgjedhjet, ta asgjësojnë një forcë historike si PD-ja, për interesat e tyre krejt vetjake”, shkruan Rama në rrjetin social Facebook.