Aktuale

Ramadani për sulmin ndaj RTK-s: Mos të lejohet që sulmet të bëhen përditshmëri

Njohësi i çështjeve të sigurisë në vend Burim Ramadani ka dënuar sulmin e mbrëmshëm ndaj objektit të Radio Televizionit të Kosovës duke theksuar se nuk duhet të lejohen sulme të tilla që të bëhen përditshmëri.

Sipas tij sulmi i mbrëmshëm është tronditës dhe i papranueshëm. Po ashtu Ramadani ka dënuar faktin që shumë nga sulmet e ndodhura së fundi nuk janë zbardhur asnjë prej tyre.

Ky është postim i plotë:

Mos të lejohet që sulmet të bëhen përditshmëri!

Sulmi i mbrëmshëm në RTK është tronditës dhe i papranueshëm.

Për më keq, tashmë janë bërë një varg sulmesh dhe nuk është zbardhur asnjë prej tyre. Nuk janë kapur autorët dhe nuk është dhënë asnjë dënim ligjor.

Në një situatë të këtillë, po e shkruaj ndoshta për të njëmijtën herë:  Kosova po ofron lehtësisht ambientin për përkeqësim të sigurisë.

Prandaj, është e domosdoshme platforma e përbashkët nacionale për rrugën përpara. Dhe, jo vetëm në një çështje. Jo vetëm për demarkacionin.

Vendi ynë ka shumë çështje për të cilat duhet të ndërtohet platformë nacionale politike. Për ta ruajtur qëndrueshmërinë e shtetit dhe për ta orientuar atë në binarë të rregullt.