Aktuale

Ramadani reagon pas deklarimeve të sekretarit të NATO-s kundër formimit të ushtrisë

Zëvendësministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Burim Ramadani, ka folur pas deklarimeve që sekretari gjeneral i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka bërë për nismën e Republikës së Kosovës për formimin e ushtrisë së Kosovës.

Ramadani ka thënë se transformimi i FSK-së në ushtri është në përputhje me angazhimet e përbashkëta të Kosovës me shtetet anëtare të NATO-s.

“Nuk ka vend fare për konfuzion. Tranzicioni i FSK-së është në përputhje me angazhimet bilaterale dhe multilaterale të Kosovës me shtetet anëtare të NATO-s, sikurse edhe me Selinë Qendrore të NATO-s”, ka thënë Ramadani.
Megjithatë, Ramadani thotë se duhet kuptuar mungesën e konsensusit brenda NATO-s dhe kundërshtimin e shteteve të cilat nuk e njohin Republikën e Kosovës.

“Duhet të kuptojmë vështirësitë e NATO-s për konsensus për shkak të shteteve jo njohëse aty. Ne fatkeqësisht nuk kemi pasur qasje direkte në kryeqytetet e disa prej këtyre shteteve jo njohëse për t’ia shpjeguar procesin dhe planin e Kosovës”, ka shtuar zëvendësministri i FSK-së.

“Sidoqoftë, ne mirëpresim thellimin e angazhimit të NATO-s në Kosovë, pëmes NALT-it dhe Bashkëveprimit të Zgjeruar. KFOR-i po ashtu do të vazhdojë të qëndrojë në Kosovë dhe do të thellohet bashkëpunimi. Transicioni i FSK-së është proces legjitim dhe gradual. Pas miratimit të ligjeve, FSK do të ketë transicion 10 vjeçar për të përmbushur kapacitetet e plota operacionale”, ka thënë ndër të tjera Ramadani.

Ai thotë se Kosova synon që të jetë anëtare e NATO-s, dhe të kontribuojë për sigurinë dhe stabilitetin në rajon.

“Kosova synon të jetë anëtare e NATO-s, i takon këtyre vlerave dhe do tê thellojë përpjekjet për këtë Qëllim Kombëtar.Kosova dhe FSK është e gatshme që krah për krah me ushtritë e shteteve anëtare të NATO-s të ndihmojë paqen, sigurinë dhe stabilitetin në rajone të ndryshme nëpër botë”, ka përfunduar Burim Ramadani.

Sekretari Gjeneral i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë sot se nisma për themelimin e Ushtrisë së Kosovës është në kundërshtim me rekomandimet e NATO-s, dhe se një veprim i tillë mund të ketë pasoja të rënda për rrugën euroatlantike të Republikës së Kosovës. /GazetaExpress/

the authorBurbuqe Metolli