Aktuale

Reagon Dardan Molliqaj pas publikimit të raportit për Deharin

Ish sekretari i Lëvizjes Vetëvendosje, Dardan Molliqaj, ka reaguar pas publikimit të raportit të institutit zviceran për vdekjen e Astrit Deharit.

Molliqaj i cili para me shumë se një vit doli nga Vetëvendosje, ka thënë se rasti i Astritit është kthyer në kërkesë universale për drejtësi.

“Sistemi i drejtësisë, ne rastin e Astritit u shpërfaq në më të keqen e tij, duke mos ndërmarrur hapa as në ndëshkimin e përgjegjësve, as në trajtimin e duhur të provave. Deklaratat kundërthënëse të instancave përgjegjëse kanë penguar hetimin, në vend se ta ndihmonin atë”, ka theksuar Molliqaj.

Molliqaj ka kërkuar që me urgjencë të trajtohet kjo çështje, pasi është e papranueshme që humbja e Astritit të mbetet e mjegulluar.

“Edhe sot, pas raportit të institutit zviceran, ne kërkojmë që kjo çështje të trajtohet me urgjencë. Një gjë e papranueshme është që humbja e Astritit të mbetet e mjegulluar. Rasti duhet të ekzaminohet deri në hollësinë e fundit! Hetimet duhet të vazhdojnë deri në fund, deri në zbardhjen e plotë të rastit”, është shprehur ai. /FaktePlus