AktualeEkonomi

Rënia e vlerës së kontributeve pensionale në vitin 2018 dëshpëruese për qytetarët e Kosovës

Kultura e fondeve pensionale ka filluar nga viti 1889 ne Gjermani, nga ideja e Bismarck-ut. Sistemi i kontributeve pensionale në Gjermani është bazuar në parimin e solidaritetit në mes të gjeneratave.Të punësuarit nga baza e pagës që merrnin paguanin për kontributin pensional dhe kontribuonin në grumbullimin e fondit për shpërndarjen e atij fondi për gjeneratat të cilat dilnin në pension.

Në Kosovë Fondi i kursimeve pensionale ka filluar së funksionuari nga gushti i vitit 2002. Fondi i kursimeve pensionale është një nga fondet më të rëndësishme për qytetarët e Kosovës. Aktivitetin e përgjithshëm të fondit të kurismeve pensionale e rregullon Kuvendi Republikës së Kosovës ndërsa e mbikëqyrë Banka Qendrore e Kosovës. BQK-ja në këtë rast duhet të ketë rol mjaft të madh në mbikëqyrjen e Fondit të Kursimeve Pensionale sidomos në orientimin e investimeve në tregjet e kapitalit.

Mjetet e grumbulluara të fondit të kursimeve pensionale investohen nga Bordi Drejtues i fondit. Në vitin 2018, investimet fondeve pensionale janë bërë kryesisht në kompani ndërkombëtare të cilat menaxhojnë fondet pensionale si BNY Mellon, Schroders GDG, BNP Paribas PDD, AXA WFOI, Amundi RP, Vanguard GSIF, Nordea GSE dhe kanë shpalluar oferta për bankat komerciale në Kosovë. Nga këto investime të ndryshme të cilat i kanë bërë, gjatë vitit kanë bërë tërheqje të investimeve dhe riinvestime të cilat si duket i kanë kushtuar qytetarëve të Kosovës në zvogëlimin e vlerës së aksioneve të tyre të cilat i kanë në fondin e kursimeve pensionale në Kosovë.

Nëse i analizojmë të dhënat financiare të fondit del se vlera e aseteve neto në vitin 2017 ka qenë një miliard e 640 milion përafërsisht apo saktësisht 1.634.648.055.79 € dhe çmimi i njësisë ka qenë 1.4648 €. Shuma e njësive nëse i vejmë në raport vlerën e aseteve me çmimin e njësive i bjen se janë 1,115,953,069.22 njësi. Andaj duke u bazuar në këto të dhëna dhe përgjegjësinë të cilën e ka Bordi i Fondit dhe BQK-ja në mbikëqyrjen e fondit në vitin 2018 ka patur rënje çmimit të njësive nga 1.4648 € sa ka qenë në vitin 2017 në 1.3847 € me datën 28.12.2018. Kjo rënje e çmimit të njësive ka një ndikim në rënjen e vlerës së fondit pensional për të gjithë qytetarët e Kosovës në shumën prej 89 milion e 400 mijë € përafersisht apo saktësisht 89,387,840.84 €.

Për këtë rënje të vlerës kaq të madhe me mbi 89 milion si duket qytetarët e Kosovës nuk e kanë vërjetur, andaj tek unë si ekspert i kontabilitetit dhe auditimit nuk më lejonte ndërgjegjja të mos bëjë një shkrim të tillë së paku të informoj qytetarët e Kosovës. Prandaj Bordi i Fondit pensional të kursimeve të Kosovës duhet të ketë përgjegjësi për një keqmenaxhim të tillë dhe mos orientim të duhur të investimeve. Kjo papërgjegjësi vërehet edhe në mbledhjet të cilat janë mbajtur për vitin 2018 nga ana e Bordit ku për tërë vitin 2018 janë mbajtur vetëm 4 mbledhje ndërsa të ardhurat të cilat i marrin anëtarët e bordit janë vjetore 16.854.00 € apo mujore 1.404.50 € ndërsa të ardhurat vjetore të Drejtorit menaxhues të Fondit janë 58.963.00€ apo 4.913.58 € mujore të dhëna të marrura të deklarimi pasurisë në Agjensionin Antikorrupsion. Kjo papërgjegjësi duhet të analizohet nga ana e Kuvendit të Kosovës dhe Bankës Qendrore të Kosovës dhe të merren masat për tejkalimin e kësaj situate jo të favorshme për qytetarët e Kosovës.

Autori: Medain Hashani, Profesor në Fakultetin Ekonomik, Kolegji AAB