Aktuale

Reshitaj shperfill vendimin qeveritar,udhëheq ministrinë pa rregullore

Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj ka vendosur të mos e zbatoj një vendim që është marrë vitin e kaluar nga Qeveria e Kosovës, në kohën kur ekzekutivi drejtohej nga Isa Mustafa, ndërsa Ministria e Mjedisit udhëhiqej nga Ferat Shala.

Bëhet fjalë për vendimin mbi aprovimin e Rregullores për organizimin e brendshëm dhe sistematizimin e vendeve të punës në MMPH. Siç mëson AktivPress, Reshitaj me një “vendim” të sajin e ka pezulluar punën e Komisionit i cili ishte ngarkuar për ta zbatuar Rregulloren nr.05/2017 të aprovuar nga kabineti i ministrave.

Rrjedhimisht, pa këtë komision, rregullorja në fjalë është bërë jo ekzistente në aspektin faktik, çka përbën shkelje të nenit 34 të Ligjit Nr.03/L-189 për Administratën Shtetërore të Republikës së Kosovës dhe nenit 23 paragrafi 10 të Rregullores Nr. 09/2012 për Standardet e Organizimit të Brendshëm dhe Sistematizimin e Vendeve të Punës në Administratën Shtetërore.

”Pas arritjes së pëlqimit nga Ministri përgjegjës për financa dhe në pajtim me dispozitat e kësaj Rregulloreje, Projekt-rregullorja përfundimtare për organizimin e brendshëm dhe sistematizimin e vendeve të punës e organit të administratës shtetërore, së bashku me pëlqimet e Ministrit përgjegjës për administratë publike dhe Ministrit përgjegjës për financa, dorëzohet për miratim në Qeveri nga Ministri përgjegjës për projektrregulloren e hartuar”, thuhet shprehimisht në Rregulloren 09/2012.

Ditën kur Qeveria e kishte miratuar Rregulloren për organizimin e MMPH-në, ishte thënë se ky dokument paraqet një hapë të rëndësishëm në procesin e reformimit të administratës publike në Kosovë.

Votimi i Rregullores 05/2017 me 4 maj 2017 nga “Qeveria Mustafa”

Heshtja e Ministrisë

Gazeta ka pyetur në MMPH se mbi cilin akt juridik funksionin ministria aktualisht, por nuk ka marr kurrfarë përgjigje.

Funksionimi sipas Rregullores paraprake nr. 19/2013 praktikisht nuk mund të bëhet pasi kjo rregullore është shfuqizuar nga Rregullorja nr. 05. 2017.

Proceduralisht duhet shfuqizuar Rregullorja nr.05/2017 për ta fuqizuar ndonjë rregullore tjetër, gjë që në fakt nuk ka ndodhur.

Derisa MMPH nuk është përgjigjur në pyetjet që AktivPress ia ka adresuar në lidhje me këtë problematik, gazeta ka siguruar informacione se kur është aprovuar rregullorja që tash po shpërfillet nga ministrja Reshitaj ishin shfuqizuar tri rregullore të tjera:

– Rregullorja Nr. 19/2013 për Organizimin e Brendshëm dhe Sistematizimin e Vendeve të Punës së Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor;

– Rregullorja Nr.03/2014 për Organizimin e Brendshëm dhe Sistematizimin e Vendeve të Punës të Agjencionit për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës dhe;

– Rregullorja (QRK) Nr. 20/2014 për Organizimin e Brendshëm dhe Sistematizimin e Vendeve të Punës në Agjencinë Kadastrale të Kosovës.

Ministria s’mund t’i pezulloj vendimet e Qeverisë

Në aspektin ligjor, ministrja nuk ka të drejtë që të pezulloj ose ta bëjë ta pazbatueshëm një rregullore të miratuar Qeveria e Kosovës, pasi një organ vartës siç është MMPH nuk mund ta shfuqizoj vendimin e organit sipëror, në këtë rast Qeverisë.

Pa një rregullore për organizimin e brendshëm dhe sistematizimin e vendeve të punës MMPH nuk guxon të funksionoj, pasi kjo përbën shkelje të akteve juridik të sipër përmendura, të cilat kërkojnë në mënyrë shprehimore që çdo ministri të këtë një rregullore të organizimit të brendshëm.

Për më tepër, funksionimi sipas rregullores se vjetër (nr19/2013) ka edhe pasoja financiare për MMPH-në, pasi me rregulloren e re (nr.05/2017) Agjensioni Kadastral dhe ai Mjedisit nuk kanë më zyre të prokurimit.

Në MMPH është paraparë të këtë vetëm një zyrë të prokurimit që do të shërbej për të gjitha organet e ministrisë.

Për sa kohë që Qeveria nuk aprovon një Rregullore të re për MMPH-në, zhvillimi i procedurave të veçanta të prokurimit në kuadër të Agjensionit Kadastral dhe atij të Mjedisit përbën shkelje të rëndë të ligjit me pasoja si për ministrinë ashtu edhe për individët që kryejnë aktivitete të tilla.