Arsim & Kulturë

Revista Shkencore “Thesis” e Kolegjit AAB e indeksuar në dhjetëra platforma shkencore

Në këtë numër janë përfshirë nëntë autorë me gjashtë studime si dhe janë dhënë rekomandime për institucionet arsimore, prindërit, arsimtarët dhe politikëbërësit

Doli nga shtypi numri i 12-të me radhë i revistës shkencore ndërkombëtare “Thesis”, e cila botohet nga Kolegji AAB dhe e indeksuar në ErihPlus, Worldcat, Base Bielefeld, ZBW- Leibniz dhe platforma të tjera shkencore. Në këtë edicion, lexuesi gjen studime nga fusha e pedagogjisë, didaktikës, gjuhësisë, epistemologjisë, letërsisë, ku janë përfshirë nëntë autorë dhe qindra studentë të angazhuar në terren.

Në studimin e titulluar “Përvetësimi i gjuhës shqipe si gjuhë amtare nga pikëvështrimi i hipotezës së rendit natyror”, gjuha shqipe hyn në radhën e gjuhëve që kanë filluar ta studiojnë rendin e natyrshëm të përvetësimit të gjuhës amtare. Në hulumtim kanë marrë pjesë rreth 100 hulumtues të rinj, të cilët kanë vëzhguar për dy javë më se 200 fëmijë të grupmoshave të ndryshme. Vëzhgimi ka mbledhur material natyralist joeksperimental për të konstatuar ekzistimin e rendit natyror të përvetësimit të gjuhës shqipe si gjuhë amtare.

Studimi, mes tjerash, ka nxjerrë edhe një gjetje të paplanifikuar, atë të rolit të dialektit dhe të folmeve në procesin e përvetësimit të gjuhës shqipe. Njëherësh, thuhet në këtë studim, hulumtimi nuk ka arritur ta dallojë dhe të përcaktojë më saktësisht rolin e shkollës dhe të mjedisit – në procesin e përvetësimit të gjuhës shqipe. Një studim tjetër me katër autorë, ka pasur në fokus fëmijët e grupmoshave 3-6 vjeçare, i realizuar në Prishtinë, Ferizaj dhe në Gjakovë, që ka matur shkallën e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve parashkollore dhe, prindërve.

Qëllimi i këtij studimi, siç thuhet nga autorët, ka qenë që të shihet kjo shkallë e bashkëpunimit për një edukim sa më të mirë në fëmijërinë e hershme. Nga ky studim kanë dalë edhe një varg rekomandimesh të cilat u drejtohen institucioneve parashkollore, prindërve dhe politikëbërësve. Studimi tjetër ka të bëjë me vëzhgimin 15-javor në disa institucione parashkollore në Kosovë për punën e realizuar praktike, e cila punë ka për qëllim krijimin e një klime të mirë në klasë dhe për të ndikuar në motivimin dhe zhvillimin e kompetencave kryesore të të nxënit. Një autore maqedonase trajton rolin e fjalëve bashkërenditëse në përvetësimin e një niveli më të kënaqshëm të gjuhës angleze, ndërsa një artikulli tjetër shkencor në këtë revistë trajton çështjen e mohimit të Gjergj Fishtës gjatë periudhës së komunizmit në Shqipëri.

Nga fusha e metodologjisë dhe epistemologjisë trajtohet roli i dyfishë i rregullave metodike, të cilat edhe e ndihmojnë kërkimin të jetë i suksesshëm, por edhe e kthejnë atë në dogmë, duke e ngushtuar dhe kufizuar kërkimin për shkak të ekskluzivitetit të tyre. Ky numër është mjaft i dobishëm jo vetëm për studentët e fushave përkatëse, por edhe për kërkuesit shkencor. “Thesis” është revistë shkencore ndërkombëtare, e cila del online dhe në letër, e indeksuar në disa platforma serioze, përfshirë edhe ato që MASHT i konsideron të vlefshme për avancime akademike. Numrin më të ri të “Thesis” mund ta gjeni këtu.

the authorBurbuqe Metolli