Aktuale

Rinumërohen 199 vendvotime, nga KQZ tregojnë kur publikohen rezultatet

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ditë më parë ka vendosur për rinumërimin e gjithsej 314 vendvotimeve, bazuar në rekomandimin e Qendrës së Numërimit dhe Rezultateve.

Valmir Elezi ka thënë për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus se pas vendimit të KQZ-së për rinumërimin e 314 kutive, deri tani janë rinumëruar 199 vendvotime.

“Deri të dielën në mesnatë janë rinumëruar 199 vendvotime nga 314 sa është numri i përgjithshëm i tyre sipas vendimit të KQZ-së”, ka thënë Elezi.

Ndërkaq Burim Ahmetaj nga Qendra e Numërimit dhe Rezultateve, ka thënë për FaktePlus se sot pritet që të rinumërohen 22 vendvotime dhe i gjithë ky proces pritet të përfundoj nesër.

Ahmetaj ndër të tjera ka thënë se deri më tani nuk janë bërë krahasime të rezultateve për vendvotimet e rinumëruara, por që pritet të bëhen publike këto rezultate.

“Për sot janë edhe 22 vendvotime, pritet që brenda ditës nesër të përfundojnë. Pra nesër pritet të përfundojnë rinumërimi i 314 vendvotimeve. Krahasim të formularëve nuk kemi bërë, nuk shihet ndryshim mes votave të subjekteve po si do qoftë ne i kemi kompletu. KQZ-ja i ka publiku formularët e vjetër dhe të rinumëruarat në uebfaqe e aty mund të bëhen krahasime”, ka thënë Ahmetaj.

Ndryshe ky vendim i KQZ-së për rinumërim vjen pas rekomandimit të Qendrës së Numërimit dhe Rezultateve pasi që kishin vërejtur gabime të shtypjes së formularëve të rezultateve./FaktePlus