Aktuale

Rinumërohen 219 vendvotime

Janë rinumëruar 219 nga 530 vendvotime, për të cilat është marrë vendim nga Komisioni Qendror Zgjedhor. Këtë e ka bërë të ditur për FaktePlus, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi i cili ka thënë se ky numër është arritur dje në mesnatë.

“Në QNR është duke vijuar normalisht procesi i rinumërimit të vendvotimeve për të cilat ka vendosur KQZ-ja. Mund t’iu konfirmojmë se deri të shtunën në mesnatë janë rinumëruar 219 vendvotime nga 530 sa është totali i tyre”, ka thënë ai.

Tutje ai ka shtuar se ky proces po vëzhgohet nga vendorët e ndërkombëtarët. Sa i përket votave me kusht e atyre të personave me nevoja të veçanta, Elezi ka thënë se do të fillohet numërimi sapo të mbaron rinumërimi i këtyre 530 vendvotimeve.

“Pas rinumërimit do të fillojmë me numerimin e votave me kusht dhe votave të personave me nevoja të veçanta”, ka deklaruar ai.

Kujtojmë që KQZ-ja mori vendimin për rinumërimin e 530 vendvotimeve të tjera nga 314 sa ishin numëruar, për shkak të siç thanë problemeve teknike në formularë, mungesës së faqeve në formularë, mospërputhjes së fletëvotimeve me atë të rezultateve, e tjera./FaktePlus