ShowBiz

Rita Ora, udhëheqëse e America’s Next Top Model

Sipas medieve britanike, Rita do ta zëvendësojë supermodelen Tyra Banks pasi ajo ishte përjashtuar nga kjo detyrë vitin e kaluar, pas 12 vjetësh

Këngëtarja e famshme Rita Ora ka nënshkruar që të jetë nikoqire e shout të ri televiziv “America’s Next Top Model”. Këngëtarja 25-vjeçare nuk është e papërvojë në ekranin e vogël, pasi në të kaluarën ka qenë pjesë e jurisë së emisioneve televizive për talente të reja “The Voice” dhe “The X Factor”, shkruan Zeri. Por tani ajo do të ketë një rol edhe më të rëndësishëm, pasi do të jetë udhëheqëse kryesore e këtij shou. Sipas medieve britanike, Rita do ta zëvendësojë supermodelen Tyra Banks pasi ajo ishte përjashtuar nga kjo detyrë vitin e kaluar, pas 12 vjetësh.

“Rita është në një botë ëndrrash. Ajo do t’i përziejë dy pasionet e saj, atë të modës dhe të muzikës, do të jetë një zëvendësuese e mrekullueshme e Tyra-s. Shefat e ‘Next Top Model’ donin të sillnin freski dhe ata e shohin Ritën si një fytyrë ideale. Ajo më vonë gjatë vitit do të nxjerrë në treg një këngë të re dhe kjo përputhet me këtë shou”, ka thënë një burim i afërt me këngëtaren. Tyra, e cila kishte krijuar shoun “America’s Next Top Model” në vitin 2003, kishte arritur sukses të jashtëzakonshëm në mbarë botën, ndërsa ditë më parë ka deklaruar se ajo do të jetë e përfshirë në shoun e ripërtërirë. Angazhimi i fundit i Ritës në televizion ishte si pjesë e jurisë së shout “The X Factor”, vitin e kaluar.